Bullgari, atentat turistëve izraelitë
8 të vdekur: “Është dora e Iranit”

Bullgari, atentat turistëve izraelitë <br />8 të vdekur: “Është dora e Iranit”
BURGAS, Bullgari - Një atentat në Bullgari ndaj një autobusi me turistë izraelitë i ka marrë jetën të paktën tetë personave ndërsa 30 të tjerë janë plagosur. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme kur një grup prej 40 turistësh të nisur nga Tel Aviv mbërritën në aeroportin e Burgas, qytet buzë Detit të Zi, dhe po ngjiteshin në autobusin që do t’i shoqëronte në udhëtimin e tyre. Katër autobusë të tjerë, me turistë nga vende të tjera në bord, të parkuar pranë atij të sulmuar, morën flakë si pasojë e shpërthimit dhe mendohet se mes të plagosurve mund të ketë edhe turistë nga shtete të tjera.

Dëshmitë e para nënvizuan natyrën terroriste të ngjarjes ndërkohë që, pas hetimi të shkurtër, edhe policia bullgare e konfirmoi këtë version. Autoritetet bullgare konfirmuan gjithashtu edhe bilancin tragjik të publikuar nga mediat izraelite.

Kryeministri izraelit Netanuyahu deklaroi se “gjithçka të shtyn të mendosh se ka qenë Irani” autori aktit terrorist.

Gal Malka, një dëshmitar i intervistuar nga një tv izraelit, Channel 2, ka treguar se ka parë dikë të ngjitej në autobus dhe menjëherë më pas ndodhi shpërthimi. Kjo bën të dyshohet për një sulm kamikaz. Rrëfimi i tij është i ngjashëm me atë që një tjetër dëshmitare, Aviva Malka, i dha radios së Ushtrisë izraelite: “Ishte një kamikaz. U ulëm dhe pak sekonda më pas dëgjuam shpërthimin e madh dhe u larguam përmes çarjes së autobusit. Pamë trupa dhe shumë të plagosur”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Jonathan Rosenzëeig, shpjegoi se shpërthimi ndodhi rreth 40 minuta pas mbërritjes së turistëve në aeroportin e Burgas, rreth orës 15:45.

Autoritetet bullgare mbyllën aeroportin, duke postuar të gjithë fluturimet në Varga. Ministria e Jashtme e Izraelit ka formuar një ekip ekspertësh që do të niset për në Burgas ku do të ndihmojë autoritetet lokale, që sipas një dëshmitari, kanë reaguar me vonesë ndaj atentatit.

Atentati në Burgas ndodh në 18 vjetorin e aksionit terrorist që në Buenos Aires, në vitin 1994, i mori jetën 85 personave dhe plagosi 300 të tjerë. Atëherë, një grup terrorist goditi me një autobombë ndërtesën e selisë së një shoqate hebraike. Për atë atentat, autoritetet argjentinase akuzuan elementë iranianë dhe eksponentë të Hezbollah.

Sipas kanalit televiziv Channel 10, ministri i Mbrojtjes izraelit, Ehud Barak, pas një konsultimi me këshilltarët e tij, ka thënë: “Izraeli do të dijë të gjejë e ndëshkojë përgjegjësit. Ndërkohë izraelitët të ruajnë qetësinë dhe të vazhdojnë të udhëtojnë jashtë vendit”.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Medalistët serbë të Paris 2024, festojë me këngë nacionaliste për Kosovën

Medalistët serbë të Paris 2024, festojë me këngë nacionaliste për Kosovën