Bullgaria është një tjetër nga shumë vendet e BE që është shprehur pro hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave të Bullgarisë, thuhet se për Maqedoninë e Veriut, duhet të plotësohen disa kushte ndërsa për Shqipërinë thuhet se ka bërë hapa pozitiv në vlerësimin e përgjithshëm.
Ndër të tjera Bullgaria thekson se çelja e negociatave me vetëm njërin prej shteteve do të kishte pasoja jo vetëm për shtetin e mbetur jashtë, por edhe për rajonin.
“Shqipëria duhet të garantojë maksimalisht të drejtat e pakicës bullgare, jo vetëm në zonën tradicionale ku ata kanë jetuar, por kudo që mund të jetojnë në Shqipëri. Gjithashtu presim që censusi i popullsisë të kryhet sipas standardeve më të larta europiane dhe të pasqyrojë etninë e vërtetë të njerëzve”, thuhet në dokumentin e Qeverisë.
Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Qeveria bullgare ka vendosur disa kushte. Sipas dokumentit të publikuar në rrjet thuhet se Maqedonia e Veriut duhet të ndalë gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve si dhe të pranojë përfundimet e Komisionit mbi Çështjet Historike dhe Arsimore si të vërteta historike.