Bullgaria  vë veton për Maqedoninë e Veriut, pengon dhe integrimin e Shqipërisë në BE, por Meta uron presidentin bullgar për rizgjedhjen

Bullgaria  vë veton për Maqedoninë e Veriut, pengon dhe integrimin e Shqipërisë në BE, por Meta uron presidentin bullgar për rizgjedhjen

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

TIRANË- Vetëm pak orë pasi u rizgjodh sërish në krye të presidencës Bullgare, Rumen Radev u sigurua që të theksonte që nuk do e hiqte veton nga Maqedonisë së Veriut për integrimin, gjë që penalizon edhe Shqipërinë. Mirëpo kjo, duket se është "anashkaluar" nga presidenti Meta, i cili ka rendur i pari që ta uronte i pari rizgjedhjen e tij. Duket se interesat e popullit shqiptar kanë kaluar në rend të dytë për Metën. Ai thotë se rizgjedhja e Radev, i jep atij një kënaqësi të veçantë e ndërsa flet edhe për mbështetje që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

"Rizgjedhja Juaj si President i Bullgarisë, më jep kënaqësinë e veçantë, që në emër të popullit shqiptar dhe emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të ngrohta e të sinqerta për përmbushjen me sukses të misionit Tuaj në drejtimin e Republikës së Bullgarisë. Shpreh besimin se gjatë mandatit Tuaj të ri, marrëdhëniet shumë miqësore e tradicionale të bashkëpunimit, dypalësh dhe shumëpalësh, midis dy vendeve e dy popujve tanë miq do të zhvillohen e pasurohen edhe më tej në të ardhmen.

Jam i bindur se falë vullnetit, vizionit dhe vlerave të përbashkëta euroatlantike marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Bullgarisë, jo vetëm ato politike, do të fitojnë një dinamikë të re, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, turizmit, kulturës, arsimit dhe zhvillimit infrastrukturor. Sot, si asnjëherë tjetër, adresimi i sfidave me të cilat shoqëritë tona po përballen, kërkon një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes vendeve tona në rajonin e Europës dhe më gjerë, sidomos në kuadër të partneritetin të NATO-s.

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për mbështetjen, që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, e njëkohësisht të shpreh bindjen se rizgjedhja Juaj si President i Bullgarisë do të nxisë edhe më shumë mbështetjen bullgare për vendet kandidate të rajonit tonë në këtë proces të rëndësishëm, si në planin strategjik, ashtu edhe në atë të stabilitetit rajonal. Së bashku me urimet e mia të sinqerta për rizgjedhjen Tuaj si President i Republikës së Bullgarisë, dhe urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Bullgarisë, Ju lutem pranoni Shkëlqesi, shprehjen e konsideratës sime më të lartë", shkruan Meta.

Rumen Radev mori mandatin e dytë në krye të Presidencën bullgare, e ndërsa në deklaratën e tij të parë pas rizgjedhjes, tha se " Qeveria e re nuk duhet të bëjë lëshime nga pozitat nacionale posaçërisht kur bëhet fjalë për identitetin dhe historinë bullgare dhe të drejtat e bashkatdhetarët tanë prapa kufirit", pra që nuk do të lëshojë pe për Maqedoninë e Veriut, vendim që pengon edhe Shqipërinë.

 

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë