Gjatë seancës dëgjimore me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme për azilkërkuesit, Bumçi tha se kthimi në kufi është shkelje e të drejtave të njeriut, ndërsa akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama se po u mohojnë shqiptarëve lëvizjen e lirë në vendet e “Schengen”.
“Ministri i Brendshëm i shoqëruar nga ambasadori gjerman shkojnë në pikat e kalimit kufitar nga ku kthehen 13 500 shqiptarë. Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. Si mund të ndaloni ju shqiptarët që të ndalin. Europa u ka dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë dhe ju u thoni s’keni për të dalë jashtë. Trajtimi juaj nuk është problemi brenda Shqipërisë, por të mbyllni kufijtë”, u shpreh Bumçi.
Por, reagimi i kryetares së komisionit, Arta Dade ishte i menjëhershëm. Ajo i kërkoi Bumçit që mos spekulojë me emrin e ambasadorit gjerman.
"Mos spekuloni. Aq më tepër kur përmendi emrin e ambasadorit, i cili paska shkuar në kufi dhe paska kthyer 13 500...dini vetëm të bëni propagandë”, u shpreh Dade.
Nga ana tjetër, zv/ministri i Brendshëm, Ilirjan Mustafaraj raportoi shifra në rritje për azilkërkuesit. Ai tha se në 2014-ën kishte 17 150 kërkesa, ndërsa në 2015-ën, 52 475. Vetëm nga Gjermania janë kthyer mbi 5000 azilkërkues.
Debatet te komisioni i Jashtëm
Zv/ministri i Brendshëm, Ilirjan Mustafaraj
Gjatë 2015 janë rritur shifrat e azilkërkuesve në Gjermani dhe vendet e tjera në BE. Në 2014 kërkesat për azil ishin 17 150, ndërsa në 2015-ën, kemi 52 475 kërkesa për azil. Janë kthyer nga Gjermania mbi 5000 azilkërkues. Ndërsa 4000 të tjerë janë kthyer në mënyrë vullnetare. Kemi në fokus parandalimin dhe marrjen e masave për të kthyerit. 13 mijë shtetas janë refuzuar që të dalin jashtë kufijve, për në vendet e BE. Kemi ndërmarrë fushata sensibilizimi, identifikuar zonat nga ikin, zbulimin e personave që nxisin këtë fenomen dhe forcimin e masave në kufij. Një pjesë e mirë e azilkërkuesve nisen nga aeroporti i Prishtinës.
Aldo Bumçi: Ambasadori gjerman shkon në pikën e kalimit kufitar i shoqëruar nga ministri i Brendshëm dhe kthehen plot 13 mijë e 500 shqiptarë. Kjo qenka arritja?! Është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.
Arta Dade: Mos spekuloni. Aq më tepër kur përmendi emrin e ambasadorit, shkëlqesinë e tij, z.Hoffman, i cili paska shkuar në kufi dhe paska kthyer 13 500...
Aldo Bumçi: Thash që i ka penguar policia shqiptare...
Arta Dade: Kjo është mungesë serioziteti nga ana juaj.
Aldo Bumçi: Ikin se janë varfëruar.
Arta Dade: Shteti shqiptar është përgjegjës që nëse duan të punojnë në Europë, duhet të punojnë si qytetarë me dinjitet. Lexoje edhe njëherë marrëveshjen e liberalizimit të vizave.
Aldo Bumçi: Në vitin 2012 ka patur 250 azilkërkues. Kur ishte “regjimi i famshëm” që kishte rrënuar Shqipërinë. Në 2013, 1000, dhe ju e çoni 17 mijë vitin e parë, 52 mijë në 9 muajt e parë të 2015-ës dhe rritja krahasuar me një vit më parë është 631%.
Aldo Bumçi: Janë edhe 200 mijë aplikime në ambasadën amerikane. A ka më situatë tronditëse?!
Arta Dade: Llotaria i fton njerëzit për të aplikuar, por do shohim sesa do ikin. Opozita e ka mendjen vetëm të bëjë propagandë.
Blendi Klosi: Nuk janë penguar qytetarët e rregullt, të cilët s’kanë shkelur rregullat e qëndrimit në “Schengen”. Raporti me kufirin, është raporti me shtetin.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)