TIRANE - “Arrest me burg” në mungese për Jak Jakun, personin që u vu në pranga në Greqi së bashku me Arben Frrokun si të dyshuar kryesor për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj (në foto)

Masa e sigurisë është dhënë sot nga Gjykata e Tiranës dhe ajo që bie në sy është se akuza e formuluar nga Prokuroria në ngarkim të Jak Jakut është ajo e “armëmbajtjes dhe municioneve luftarake pa leje, si dhe për një sasi droge që u bllokua në banesën e tij gjatë kontrolleve të policisë pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt në kryeqytet.

Një ditë pas atentatit mafioz ku mbeti i vdekur komisari Dritan Lamaj, Policia e Shtetit akuzoi si autorë Arben Frrokun dhe Jak Jakun, duke theksuar madje se ka prova të mjaftueshme që i fajësojnë ata për këtë vepër penale.

Për këtë arsye pritej që për Jak Jakun kërkesa e Prokurorisë për masë sigurie të depozitohej pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, por për mungesë provash, me sa duket organi i hetimit i është drejtuar Gjykatës Penale.

Një ditë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Arben Frrokun, masë që u mor në mungesë të tij pasi ende ndodhet në Greqi. Por për Arben Frrokun, Prokuroria kishte formuluar qartë akuzën e “vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta”

Ndërkaq vendimi i sotëm për Jak Jakun është marrë në mungesë pasi ndodhet në Selanik të Greqisë, ndërsa të njëjtën masë sigurie ka dhënë Gjykata e Tiranës edhe për Ndue Jakun, vëllain e Jak Jakut, pasi ne banesën e dy vëllezërve u gjet një arsenal i tërë armësh.

Redaksia Online
(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)