Burg përjetë autorit të masakrës së
Kozares,vrau vëllanë,kunatën,nipin

BERAT - Ka zgjatur vetëm pak minuta seanca gjyqësore ndaj Luan Marrës, i akuzuar si autori i masakrës së Kozares. Luan Marra vrau barbarisht vëllain, kunatën dhe nipin e tij. Ai u dënua këtë të hënë me "burgim të përjetshëm" në Gjykatën e Shkallës së Parë në Berat, vendim i cili jepet për herë të tretë ndaj tij nga e njëjta gjykatë.

Rudina Palloi, kryesuesja e trupit gjykues dha vendimin duke shpallur fajtor Marrën dhe dënuar atë me “burgim të përjetshëm” për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuara” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Pas pretencës së dhënë nga prokurori i çështjes, Ermir Beta disa ditë më parë, gjykata e Rrethit Gjyqësor në Berat, tha sot fjalën e fundit në një seancë e cila ka zgjatur vetëm pas minuta. Vetë i akuzuari Luan Marra, në këtë proces të tretë ndaj tij në këtë gjykatë nuk ka qenë i pranishëm, duke preferuar të përfaqësohet nga avokati i tij mbrojtës, Alban Bengasi. 

Vetëm një prej familjarëve të Luan Marrës, vëllai i tij, Iliri ka qenë prezent në seancë gjatë marrjes së vendimit dhe menjëherë pas shpalljes është larguar duke u shprehur se në këtë vend nuk ka drejtësi.

Çështja Marra, është një nga më të njohurat e sistemit gjyqësor shqiptar. Me një vendim me numër 14, të datës 03.05.2011 Gjykata Kushtetuese është shprehur për herë të parë për këtë çështje. Në këtë vendim që ka pasur si objekt shfuqizimin si të papajtueshëm të tre vendimeve të dhëna nga: Gjykata e shkallës së parë Berat që me vendim me numër 107, të datës 23.05.2008 e ka shpallur fajtor dhe dënuar me “burgim të përjetshëm”, Gjykata e Apelit Vlorë me vendim me numër 117, të datës 03.03.2009 ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Beratit dhe atë të Gjykatës së Lartë, me vendim 760 të datës 24.06.2010 për mos pranim rekursit.

Marra ju drejtua Gjykatës Kushtetuese për shfuqizim vendimi, pasi pretendon që i është shkelur e drejta për një proces të rregullt gjyqësor: pasi ndaj tij është ushtruar dhunë gjatë marrjes në pyetje, nuk ka pasur avokat gjatë marrjes në pyetje dhe vendimet mbi të cilat është dënuar kanë qenë të pambështetura në prova.

Çështja gjykohet sërish në të treja shkallët e gjyqësorit shqiptar, ku gjykata e Beratit e dënon me 02.03.2012 me “burgim të përjetshëm”, gjykata e Apelit më 27.06.2012, lë në fuqi gjykatën e Beratit dhe gjykata e Lartë nuk pranon rekursin.

Marra i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese, sepse pretendon se ndaj tij është zhvilluar sërish një proces i parregullt ligjor gjatë gjykimit. Kjo gjykatë me një vendim tjetër me numër 20 që mban datën 04.04.2016 vendos: shfuqizim të vendimeve si të papajtueshëm me Kushtetutën, gjë e cila e rikthen sërish në gjykatën e Beratit çështjen.

Pas gjykimit në këtë Berat, me të njëjtat prova Marra është dënuar sot sërish me ‘burgim të përjetshëm”, për ngjarjen që ka ndodhur më 10 shkurt 2006, në fshatin Kozare të Kuçovës, ku viktima mbetën në banesën e tyre Shpëtim, Florie shtatzënë dhe Artio, dy vjeç.

Pas ngjarjes Luani u arrestua si autor dhe pranoi krimin. Sipas policisë së Beratit dhe asaj të krimeve të rënda ngjarja ndodhi për të fshehur një marrëdhënie mes viktimës dhe autorit, madje sipas prokurorisë Luani e kreu krimin se dyshonte që fëmija që priste viktima ishte e tij. Nën këtë dyshim u krye dhe një analizë AND-je, por rezultoi se fetusi i përkiste të atit Shpëtimit dhe jo autorit të dyshuar.

Provat mbi të cilat gjykohet Marra janë: pranimi i akuzës prej tij dhe riskenimimi i aktit të krimit prej tij, pas arrestimit. Por, më pas Marra u shpreh  gjatë gjykimit se ishte dhunuar gjatë marrjes në pyetje, nuk ka pasur avokat mbrojtës dhe ndaj tij është zhvilluar proces gjyqësor i parregullt.

d.c./shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit