BURREL – Disa të rinj në Burrel kanë djegur gjatë ditës së sotme flamurin e Maqedonisë. Ngjarja ka ndodhur ndërsa personat në fjalë protestuan paraditen e sotme kundër episodeve të dhunës ushtruar kohët e fundit ndaj shqiptarëvë në vendin fqinj.

Të grumbulluar në qendër të qytetit të Burrelit, të rinjtë lëshuan thirrje si “Duam Shqipërinë etnike” dhe “Poshtë Maqedonia". Më pas ata shkelën e dogjën flamurin maqedonas.

Disa ditë më parë dy të rinj shqiptarë u vranë nga një polic maqedonas në qytetin e Gostivarit pas një grindje për një vend parkimi ndërsa, në një tjetër episod, 15 nxënës shqiptarë u rrahën nga disa të rinj maqedonas në qytetin e Shkupit.

Gjatë ditës së djeshme një video ku digjej flamuri shqiptar u shfaq në Internet, shoqëruar me parrulla raciste kundër shqiptarëve dhe muslimanëve. Video ishte krijuar nga një organizatë katolike maqedonase.

(im/shqiptarja.com)