KUÇOVË- I merr jetën gruas me të cilën kishte ndarë për kaq vite shtratin martesor, nënës së tre fëmijëve. Krimi brenda familjes ka tronditur ditën e sotme fshatin Drizë të Beratit, ku autor është një bashkëshort prej vitesh i papunë. 

Ngjarja është shënuar gjatë mesnatës ku çifti pasi ka pasur debate mes njëri-tjetrit. Sipas policisë, Rruzhdi Luzi 57-vjeç në sherr e sipër ka rrëmbyer një thikë në kuzhinë dhe ka qëlluar bashkëshorten e tij Manjola Luzi 49- vjeçe. Goditja ka qenë fatale për 49- vjeçaren, e cila ka ndërruar jetë menjëherë. Nga të dhënat e para mesohet se 57-vjecari i ka prerë fytin së shoqës.

 Në momentin që 57-vjeçari qëllonte me thikë gruan, tre fëmijët e çiftit kanë qenë në gjumë. 

Çifti kishte tre fëmijë, 2 djem dhe një vajzë, ku më i madhi ishte 19 vjeç. 

Shqiptarja.com mëson se kanë qenë fëmijët të cilët janë zgjuar nga zhurmat në shtëpi. Pas kanë parë nënën e mbytur në gjak ata janë tronditur dhe kanë lajmëruar të afërmit dhe fqinjët, ndërsa këta të fundit policinë. Blutë e Beratit arrestuan 57 vjeçarin Rruzhdi Luzi, i cili nuk u largua nga vendgjarja

Motivet
Grupi hetimor ka marrë në pyetje autorin e krimit dhe të afërmit për të zbardhur motivet e ngjarjes së rëndë, ndërsa nga të dhënat e para raportohet se shkak i vrajes ka qenë xhelozia, pasi 57-vjeçari dyshonte se gruaja e tradhtonte.
 
Familjarët e çiftit shprehen për Shqiptarja.com se nuk kanë qenë në dijeni të problemeve të mëparshme. Sipas tyre, problemet ekonomike mund te kene qene arsyet kryesore te debateve mes cifit. 
 
"Ishin një familje e qetë dhe ngjarja ka qenë e papritur. Në dijeninë tonë çifti nuk ka probleme xhelozie, por ekonomike, pasi e siguronin me vështirësi jetesën, jemi të shokuar nga ngjarja e rëndë" shprehet ata duke shtuar se Rruzhdiu ishte i papune prej disa vitesh.
"Rruzhdiu prej vitesh ishte i papune, teksa bënte punë sezonale bujqësie kryesisht në ullishtet e zonës".
Të afërmit kryesisht kushërinjtë që kishte ne emigrim e ndihmonin shpesh here me të ardhura.

I afërmi: Fukarenj e të vuajtur. Sherri pasi kishin ngrenë bukë
Dëshmia e një të afërmi të familjes zbardh pjesë nga ngjarja e rëndë. Rrëfimi i tij hedh poshtë versionin e policisë se vrasja mund të ketë ndodhur për xhelozi. I afërmi zbulon sesi autori, kushëri i tij, pasi vrau gruan, telefonoi policinë ndërsa u la porosi vëllait: “Unë e bëra, por kini kujdes fëmijët”.

“Kishin ngrënë e kishin pirë, kishte ardhur djali dhe vajza dhe kishin ngrënë bukë, se djali vjen vonë në 1 të natës. Kishte ardhur dhe kishte ngrënë bukë, e kishte lënë bukën e shtruar në tavolinë dhe e kishte vënë në gjumë, pas asaj ndodhi ai muhabet.

Nuk kanë pasur probleme dhe sherre. Ishin fukarenj dhe të vuajtur, nuk bëhet fjalë për xhelozi.
Pastaj siç tregon i vëllai ai është ngritur dhe ka marrë në telefon policinë dhe ka thënë që unë ika dhe kam bërë këtë gjë por kini kujdes fëmijët. Nuk dihen arsyet, por as i vëllai nuk di gjë fare”, tregon i afermi i familjes Luzi.

Drama e 3 fëmijëve jetimë të varfër
Pas krimit në kuzhinë tavolina e bukës kishte ende thërrimet që kishin mbetur nga darka që kishte mbaruar më i madhi i fëmijëve. Vetëm 19 vjeç me një vëlla dhe një motër më të vogël. Të tre ndodheshin në dhomën tjetër kur babai theri me thikë nënë e tyre. Tashmë ajo nuk jeton më dhe jetën ia mori babai i tyre, që pak orë pas krimit policia e nxorri nga fshati me pranga në duar. Fëmijët do të duhet të përballen tani me vdekjen e nënës, arrestimin e babait dhe varfërinë që u është shtruar këmbëkryq në vatër prej vitesh.





kucove vrasje burri vret gruan

kucove vrasje burri vret gruan
Banesa e çiftit në Kuçovë