Bushati-Brende: Shqipëria
ka rol drejtues në Rajon

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati priti në një takim homologuen e tij norvegjez Børge Brende. Vizita e ministrit Brende në vendin tonë është e para e një ministri të jashtëm norvegjez në Tiranë që prej vitit 1998.

Të dy ministrat u ndalën gjerësisht në bashkëpunimin dypalësh, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm në ekonomi, sidomos në sektorin e energjisë, ku kompani norvegjeze janë të pranishme në Shqipëri me investimet e tyre. Ata nënvizuan rëndësinë e zgjerimit  të këtij bashkëpunimi në të ardhmen, bazuar në vlerat e përbashkëta dhe në interesin reciprok, ku Asistenca e Norvegjisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim ndaj vendit tonë do të luajë një rol të rëndësishëm.

Gjatë takimit, Bushati vlerësoi mbështetjen që Norvegjia ka dhënë ndër vite përmes financimit të projekteve zhvillimore në vendin tonë, si dhe e njohu kolegun e tij me reformat strukturore të ndërmarra nga qeveria shqiptare, me qëllim sundimin e së drejtës në ekonomi, për të mundësuar rritjen e investimeve të huaja. “Shqipëria e vlerëson rolin e Norvegjisë në rajon si element të rëndësishëm të proceseve shtet-konsoliduese, ajo promovon paqen përmes zhvillimit, dhe projektet e saj në këtë kënd të Evropës janë komplementare me proceset integruese në Bashkimin Evropian”, u shpreh kryediplomati shqiptar.

Ministri Brende vlerësoi arritjet e qeverisë shqiptare në procesin e reformave shtet-konsoliduese, duke theksuar mbështetjen e qeverisë norvegjeze në këtë drejtim. Ai vlerësoi politiken e jashtme dhe lidershipin e Shqipërisë në rajon, dhe inkurajoi vijimin e përpjekjeve në funksion të forcimit të paqes, ndërlidhjes dhe sigurisë energjetike si elementë përbërës të stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor.

Bashkëbiseduesit diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në rajon dhe vlerësuan rëndësinë e procesit të bashkëpunimit rajonal, si garanci e ruajtjes së paqes dhe prosperitetit ekonomik. Ministri Brende ofroi eksperiencën e Norvegjisë në kuadër të bashkëpunimit të Vendeve Nordike në kontekstin e bashkëpunimit rajonal të vendeve të Ballkanit.
Në kuadër të kësaj vizite, në ambientet e MPJ-së u ekspozuan disa materiale arkivore mbi marrëdhëniet diplomatike dypalëshe.

Redaksia Online
(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Disa prej jush janë në kërkim të dashurisë...çfarë thonë yjet për ju sot