Bushati: Çmimi i naftës është ulur me 20 %


TIRANE, 22 Janar/ATSH/- Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati deklaroi të enjten se çmimi i naftës është ulur me 20 %.
"Për çmimin e naftës mund të flasë kushdo, përveç Partisë Demokratike. Partia Demokratike e gjeti çmimin e naftës 100 lekë për litër dhe pas tetë vjetësh në qeverisje e la çmimin e naftës 195 lekë për litër. Dyfish!", deklaroi deputeti Bushati.
Sipas tij, në tetë vjet Partia Demokratike nuk e pyeti njëherë të vetme veten se pse shqiptarët paskan paguar më shumë se të tjerët.
Në më pak se dy vjet, tha ai, çmimi i naftës nga 195 lekë për litër, është sot 160 lekë për litër.
"Është ulur, mesatarisht 20% dhe ky është një fakt. Po ulet me të njëjtat ritme si kudo, jo për meritë të qeverisë, por sepse po ulet çmimi i naftës në tregjet botërore", u shpreh Bushati në një deklaratë për shtyp nga selia e PS-së. Ndaj, vijoi ai, teksa çmimi i naftës po ulet e do të vazhdojë të ulet, Partia Demokratike është e fundit që duhet të flasë, pasi në tetë vjet qeverisje, ndryshe nga ne, çmimin e shtrenjtoi, nuk e uli./a.gjonaj/ /a.g/

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja