TIRANË, 26 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, deklaroi sot gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë për Çështjet Evropiane, Fatmir Besimi, se vendimi për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë është jo vetëm i merituar për Shqiperinë, por edhe një vendim strategjik për rajonin dhe për balancat e rajonit.

I pyetur lidhur me punën e Komisionit Evropian dhe veçanërisht të Komiionerit për Zgjerimin Stefan Fyle, Ministri Bushati u shpreh se, "Jam i kënaqur që Komisioneri për zgjerimin gjatë mandatit të tij arriti ta çojë më përpara Ballkanin Perëndimor në rrjedhat e BE-së. E kam thënë dhe më parë, Komisioni Evropian është miku kryesor që kemi sepse nuk është nën presionin elektoral".

Bushati është shprehur gjithashtu se, "një Shqipëri kohezive nuk është thjesht një Shqipëri më e fortë së brendshmi, por reflekton stabilitet në rajon. Ka ardhur koha të kemi një Shqipëri inspiruese në rajon. Procesi i integrimit nuk duhet të bëhet peng i axhendave personale".

Ndërsa Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë për Çështjet Evropiane, Fatmir Besimi, në fjalën e tij u shpreh se, "lajmi për statusin kandidat për Shqipërinë ishte i mirëpritur për ne, pasi ishte një meszh që strategjia për zgjerimin evropian vazhdon. Besimi shprehu mirënjohje edhe për qasjen që ka Shqipëria si anëtare e NATOS, për interest e rjaonit edhe për integrimin e Maqedonisë sa më shpejt në NATO.
Gjithashtu, Fatmir Besimi ka shtuar se, funksionimi i ekonomisë së tregut është vlerë që nis nga bashkëpunimi rajonal. "Prandaj mendoj se ka shumë fusha për bashkëpunim, që nga sundimi i ligjit, njohja e të drejtave të qytetarëve, bashkëpunimi eknomik, si dhe bashkëpunimi për fondet evropiane". /a.ke/