TIRANË, 15 Shtator /ATSH-Gjergji Mima/ -Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, theksoi sot gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun kosovar, Enver Hoxhaj, se nesër do të përurohet konsullata shqiptare në Milano të Italisë.
Duke falenderuar homologun kosovar për bashkëpunimin e deritanishëm për Konsullatën shqiptare në Milano, Ministri Bushati u shpreh se, "Konsullata në Milano do t'u shërbejë shqiptarëve me kontributin tonë dhe qeverisë së Kosovës për të ofruar shërbimin e deritanishëm dhe për plotësimin në kohë të të gjitha procedurave".
Gjithashtu, Ministri Bushatiu shpreh se do të ketë bashkëpunim me të gjitha agjencitë, pavarësisht problemit të Kosovës me terrorizmin. Ministri Bushati theksoi, "ecurinë e reformave, që kanë një impakt të drejtëpërdrejtë në luftën kundër terrorizmit".
Ministri Bushati gjithashtu shprehu vlerësim për vijimin e partneritetit, ndërsa theksoi se, "Kosova është në krye të zhvillimeve rajonale".
Ndërsa ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, i shprehu, "mirënjohje Shqipërisë për mbështetjen që ka dhënë". Sipas tij, "Kosova edhe Shqipëria kanë pasur progres në planin strategjik".
Gjithashtu, Hoxhaj theksoi se ka pasur një ecuri të mirë lidhur me vendimet që janë marrë në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive në muajin janar. Hoxhaj tha se, "'90% e vendimeve të Prizrenit' janë zbatuar", ndërsa shtoi se, "janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi euro- atlantike".
Hoxhaj u shpreh edhe se janë arritur, "marrëveshje bashkëpunimi kundër krimit të organizuar, marrëveshje për një HEC të përbashkët dhe në arsim".
Hoxhaj gjithashtu u shpreh: "Pa kompromis në betejën kundër terrorizmit ndërkombëtar, Shqipëria për ne partner strategjik". /a.ke/