Ministri sqaroi komisionin, se paralelisht Greqia po punon për një marrëveshje të ngjashme të kufirit detar me Italinë, marrëveshje e cila mund të jetë model për Shqipërinë. “Është gati në përfundim marrëveshja e zonës se eksluzivitetit në kufirin detar mes Greqisë dhe Italisë. Sapo ajo të përfundojë, ne do të shohim nëse mund ta përdorim si model për të nënshkruar një marrëveshje të re detare me Greqinë”-tha Bushati.
Po ashtu, Bushati tha se në këtë ligj fokus i veçantë është procesi i negociatave, “duke u bazuar në disa vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese Shqiptare, përsa i përket çështjes së detit. Ligji e bën të qartë që në fillim se rregullon vetëm procesin e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare publike, në përputhje me konventat ndërkombëtare, përkatëse ku Shqipëria është palë”.
Sa i takon me marrëveshjes së vjetër detare, deputeti socialist, Taulant Balla, kërkoi informacion nëse prokuroria po heton për atë që ai e quajti “Marrëveshja e tradhtisë kombëtare”. “A ka marrë Prokuroria ndonjë dokument pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme sa i takon marrëveshjes së Saliut për detin? E them këtë për të kuptuar nëse prokuroria po heton për këtë marrëveshje, që është marrëveshja e tradhtisë kombëtare. Ne atëherë në opozitë bëmë kallëzimin përkatës, e çuam në Kushtetuese çështjen dhe e fituam. Por sot prokuroria duhet të hetojë për ata që negociuan këtë marrëveshje.
PD duhet të dalë e të distancohet nga kjo tradhti kombëtare. Zoti ministër, nga ana administrative ju nuk duhet të promovoni e të ngrini në detyrë personat që kanë negociuar atë marrëveshje. Madje, madje duhet t’i ulni ata në detyrë, për të mos thënë që duhen larguar fare nga shërbimi i jashtëm”-tha Balla. Gjithashtu Bushati u ndal edhe në marrëdhëniet me Greqinë, të cilat kushtëzohet nga tre elementë kryesorë. “Elementi i pari është ligji i luftës, i cili është vendosur pas Luftës së dytë Botërore. Kjo do të çlironte pozitivitetin e munguar mes vendeve. Heqja e ligjit të luftës që ka jo vetëm efekte politike por edhe ligjore, pasi mban të bllokuar pronat e shqiptarëve të Çamërisë”, nënvizoi Bushati.
Bushati
“Greqia ka mbyllur derën në frontin ndërkombëtar, duke bërë të gjitha depozitimet dhe veprimet e mundshme pranë institucioneve ndërkombëtare për të ngushtuar sa më shumë mundësinë që një çështje e tillë të zgjidhet në arbitrazh ndërkombëtar”.
Balla
“Zoti ministër, nga ana administrative ju nuk duhet të promovoni e të ngrini në detyrë personat që kanë negociuar atë marrëveshje të turpshme. Madje, madje duhet t’i ulni ata në detyrë, për të mos thënë që duhen larguar fare nga shërbimi i jashtëm”.
Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)