Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje i Kosoves Albin Kurti me Ministrin shqiptar të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati
PRISHTINË, 27 Shkurt/ATSH/ -Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në disa fusha, si institucionale, politike, ekonomike, arsimore, sociale etj, ku të dyja vendet do të mund ta plotësonin njëra-tjetrën, ishte temë e veçantë e takimit të sotëm të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti me Ministrin shqiptar të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.
Në takimin e përbashkët u diskutua për aktualitetin politik në Kosovë dhe për qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në raport me këtë aktualitet politik. Kurti tha se temat që do të kryesojnë axhendën politike në Kosovë për muajt e ardhshëm janë Trepça, Gjykata Speciale, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe energjia e ndërtimi i termocentraleve të reja.
Kurti e njoftoi Ministrin Bushati edhe për ndryshimet brenda Lëvizjes Vetëvendosje si organizatë dhe për sfidat që e presin lidershipin e ri të Lëvizjes, si dhe rolin që Lëvizja luan në zhvillimet politike si opozita kryesore në vend, brenda Kuvendit dhe jashtë tij.
/b.j//m.m/












