Bushati-Mogherini: Të ruajmë
Ballkanin nga aktorët e tretë

Ndikimi i mundshëm i aktorëve të tretë në Ballkan, duke nënkuptuar Rusinë dhe sfidat e terrorizmit nga Lindja e Mesme, duke nënkuptuar ISIS-in kanë qenë në fokus të një takimi dy palësh të ministrit tonë të jashtëm, Ditmir Bushati dhe shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.

Takimi u zhvillua në Barcelonë, teksa ministri Bushati merr pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Bashkimit për Mesdheun. Sipas njoftimit për shtyp të ministrisë sonë të jashtme, “në takim u diskutua mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugëtimin evropian si dhe mbi zhvillimet më të fundit në rajon dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Palët u ndalën në rolin stabilizues dhe europianizues të shqiptarëve në rajon, si dhe vizionin e Shqipërisë për një rajon të sigurt ku proceset demokratike shtet-konsoliduese vijojnë pa u keqpërdorur nga aktorët e tretë. Ministri Bushati theksoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar kontributin e saj për një rajon të kyçur në rrjedhat euro-atlantike”.

Ky takim erdhi si pjesë e  takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit për Mesdheun, i organizuar në formatin e një Forumi Rajonal, në Barcelonë. Takimi u kryesua nga dy bashkë-presidentët e Bashkimit për Mesdheun, Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë  për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian, dhe Ayman Al Safadi, Ministër i Punëve të Jashtme të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë. Ministri Bushati nënvizoi në fjalën e tij se: "Si rezultat i diversitetit të saj gjeografik dhe përfshirjes duke bërë bashkë 43 vende, 28 prej të cilëve anëtarë të BE-së, vendet e jugut dhe lindjes së Mesdheut, si dhe tre vendet e Ballkanit Perëndimor, Bashkimi për Mesdheun mund të na ndihmojë të gjejmë një sens qëllimi të përbashkët në adresimin e sfidave të sigurisë",-tha Bushati.

Duke u ndalur në nevojën për të adresuar shkaqet e thella të fenomeneve të terrorizmit dhe migrimit, Ministri Bushati u shpreh se: "Këto sfida gjithashtu dëshmojnë rëndësinë dhe lidhjen mes çështjeve të  sigurisë dhe zhvillimit. Në këtë kohë është shumë e rëndësishme qe të mos harrojmë zhvillimin njerëzor, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek mundësitë që ofrojmë për të rinjtë, ndaj angazhimet politike që kemi ndërmarrë në këtë aspekt duhet të përkthehen në veprime konkrete". Gjithashtu, në kuadër të këtij Ministeriali, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Ministrin e ri të Jashtëm të Jordanisë Ayman Al Safadi.

Dy Ministrat diskutuan mbi bashkëpunimin shumë të mirë në rrafshin dypalësh dhe atë shumëpalësh, si dhe evidentuan bashkëpunimin shumë të mirë gjatë dy viteve të fundit në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Në takim morën pjesë gjithashtu dhe Komisionieri për Politikën Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn dhe ministra të rajonit të Mesdheut.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave