DOHA-  Ministri i Punëve të Jashtme ka konfirmuar se së shpejti kryeministri Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Katar me qëllimin tërheqjen e investimeve të huaja në vend.
 
Bushati i cili ndodhet në një vizitë dy ditore në Katar, ka shprehur gatishmërinë që të mirëpresë në kryeqytetin e Katarit, Doha, organizimin e një forumi të përbashkët biznesi tematik mes dy vendeve, gjatë vizitës së pritshme të kryeministrit Rama në Katar.

Ai ka takuar kryetarin e Dhomës së Tregtisë së Katarit, Sheikun Khalifa bin Jassem bin Mohammed Al Thani, u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Dhomave të Tregtisë së dy vendeve. Ministri Bushati theksoi nevojën e riaktivizimit të kontakteve mes palëve, çka do të kontribuojë në rritjen e shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve. 

Nga ana e tij, kryetari i Dhomës së Tregtisë së Katarit nënvizoi se nevoja për tregje të reja do të nxisë bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe industrisë ndërmjet dy vendeve tona.
 
Në takimet me përfaqësuesit e Autoriteteve Kombëtare Investitore të Katarit, ministri Bushati zhvilloi një bisedë me Kryetarin Ahmed al Sayed, ku u ra dakord që palët të identifikojnë fushat e interesit që do të mundësojnë shtrirjen e mëtejshme të bashkëpunimit dypalësh. Ministri Bushati bëri një prezantim të avatazheve krahasuese që ofron Shqipëria për investitorët e huaj.

Përfaqësuesit e Autoriteteve Kombëtare Investitore të Katarit shprehën interesin për të zhvilliuar me qeverinë shqiptare dhe biznesin vendas projekte konkrete të përbashkëta në fushat me interes të ndërsjellë.   

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)