Bushati në Spanjë,kërkon rishikimin
 e qëndrimit për njohjen e Kosovës

Bushati në Spanjë,kërkon rishikimin<br /> e qëndrimit për njohjen e Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Spanjës. Gjatë kesaj vizite pati takime me personalitete të larta spanjolle, ku u takua me Kryetarin e Senatit të Mbretërisë së Spanjës, Pio Escudero, Ministrin spanjoll të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit, José Manuel García-Margallo, Kryetarin e Komitetit të Politikës së Jashtme të Dhomës së Deputetëve, Duran i Lleida, si dhe Sekretarin e Shtetit për integrimin evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Inigo de Vigo.

Gjatë takimit me homologun e tij Garcia-Margallo, dy Ministrat nënvizuan rëndësinë e rivitalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke theksuar nevojën për ngritjen cilësore të këtij bashkëpunimi si në nivelin politik ashtu edhe në atë ekonomiko–tregtar.

bushati spanje

Duke ndarë mendimin për interesin dhe potencialet që paraqet Shqipëria për investitorët spanjollë, Ministri Bushati vuri në dukje se procesi i filluar me Konferencën e Berlinit vitin e kaluar përfaqëson një mundësi të mirë për pjesëmarrjen e kompanive spanjolle në zbatimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore dhe energjetike ne rajon.

Ministri García-Margallo vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian duke theksuar se Spanja do të mbështesë Shqipërinë në këtë kuadër. Nga ana e tij, Ministri Bushati e njohu bashkëbiseduesin me punën që qeveria shqiptare po bën në kuadër të përmbushjes së prioriteteve, me qëllim fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Të dy ministrat nënvizuan dimensionin mesdhetar që bashkon Shqipërinë me Spanjën dhe iu referuan tragjedisë së fundit në Mesdhe. Ata shprehën nevojën emergjente të rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe trajtimit të shkaqeve të dramës së emigracionit ilegal në të gjitha forumet dhe të gjitha nivelet dy dhe shumëpalëshe, si dhe mbështetjen e stabilitetit në vendet e origjinës.

Ministri Bushati kërkoi rishikimin e qëndrimit të Spanjës për njohjen e Kosovës dhe kërkoi mbështetjen e autoriteteve spanjolle për nënshkrimin e MSA-së me Kosovën, si dhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e saj.

Situata në rajon dhe bashkëpunimi rajonal ishte një nga temat e diskutimit mes dy ministrave të jashtëm. Ministri Bushati e inkurajoi kolegun e tij për një qasje më dinamike të Spanjës ndaj rajonit të Ballkanit, parë kjo dhe në kapacitetin e saj si vend anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Të dy ministrat e jashtëm ndanë mendime të përbashkëta në lidhje me sfidat globale si lufta ndaj terrorizmit, fenomeni i luftëtarëve të huaj dhe situata në Ukrainë. Ata u angazhuan të rrisin kontaktet në organizma ndërkombëtarë si OKB-ja dhe agjencitë në varësi të saj, si dhe për një qasje më aktive të Shqipërisë në Bashkimin për Mesdheun dhe Aleancën e Qytetërimeve.

bushati spanje

Në takimin me Kryetarin e Senatit, z. Escudero dhe Kryetarin e Komitetit të Politikës së Jashtme në Kongresin e Deputetëve, z. Lleida, vëmendja e bashkëbiseduesve u fokusua tek procesi i integrimit evropian të vendit dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërparlamentar. Bashkëbiseduesit vlerësuan rolin rajonal aktiv dhe konstruktiv të Shqipërisë, si një vlerë e shtuar në përpjekjet për integrimin evropian.
Gjatë takimit me Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane z. Inigo de Vigo, palët diskutuan mbi procesin e integrimit evropian, përfitimin nga eksperienca spanjolle në këtë proces, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe progresin e bërë në drejtim të pesë prioriteteve me synim hapjen e negociatave për anëtarësim.

Gjithashtu, Ministri Bushti ishte i ftuar në Institutin Mbretëror “Elcano” ku në fjalën e tij, ai evidentoi rolin e Spanjës dhe angazhimin e saj në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke konsideruar se: “Spanja ka qenë tepër prezente në rajonin tonë duke luajtur një rol aktiv në proceset stabilizuese dhe transformuese, ku ka dhënë një ndihmë të pazëvendësueshme si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në atë të programeve zhvillimore në dy dekada. Ndaj, një riangazhim i Spanjës në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të kishte një vlerë të shtuar drejt ankorimit të rajonit në rrjedhat Euroatlantike”.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bilanci për javën që lamë pas, Policia: Mbi 23 mijë gjoba, 38 shoferë të arrestuar

Bilanci për javën që lamë pas, Policia: Mbi 23 mijë gjoba, 38 shoferë të arrestuar