Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, mori pjesë në seancën e posaçme të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës në Strasbourg, kushtuar zhvillimeve të fundit në Turqi dhe kontributit të Këshillit të Europës në përballimin e pasojave të tentativës së grushtit të shtetit të korrikut të kaluar. 

Ministrat e pranishëm shprehën solidaritetin e vendeve anëtare të Këshillit të Europës me popullin turk dhe autoritetet e zgjedhura në mënyrë demokratike në Turqi.
 
Ministrat shprehën vlerësimin për mbështetjen që Këshilli i Europës do t’i japë Turqisë për të kapërcyer sfidat me të cilat po përballet vendi.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Bushati vlerësoi dhe inkurajoi veprimet e autoriteteve legjitime turke për të rivendosur rend dhe qetësi në përputhje me kushtetutën e vendit. “Jam i bindur se, përtej  vështirësive, Turqia do arrijë të mbrojë dhe të përforcojë sundimin e së drejtës, sipas vlerave dhe standardeve europiane, veçanërisht sipas Konventës Europiane të të  Drejtave të Njeriut”, tha Bushati.
​
Në kuadër të vizitës së tij në Strasbourg, Ministri Bushati pati një takim pune me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshilit të Europës, Thorbjørn Jagland. 

Bushati shprehu vlerësimin e Qeverisë për bashkëpunimin dhe mbështetjen teknike që Këshilli i Europës vijon t’i japë Shqipërisë në fusha të rëndësishme për proceset integruese. “Avancimi i Shqipërisë në fushën e sundimit të së drejtës është evident”, u shpreh Jagland.
 
Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit në kuadër të zbatimit të paketës kushtetuese dhe ligjore të reformës në Drejtësi, ku Këshilli i Europës gëzon një ekspertizë solide. 

Një fushë tjetër bashkëpunimi të frytshëm është dhe ajo e trajtimit të çështjes së pronave. Sekretari i Përgjithshëm shprehu angazhimin për të vijuar mbështetjen e këtij procesi të rëndësishëm që tashmë ka hyrë në rrugën e një zgjidhjeje përfundimtare.

Një tjetër takim i rëndësishëm në kuadër të punimeve në Strasbourg ishte dhe ai me Komisionerin Europian Johannes Hahn në prag të Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, që do të mbahet ditën e nesërme në Bruksel, për të vlerësuar ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Komisioneri Hahn vlerësoi miratimin e paketës kushtetuese për reformën në drejtsi dhe atë të ligjit për “vetting”-un, cka dëshmon vullnetin e qëndrueshëm politik për të avancuar në këtë proces. 

Në kuadër të përpjekjeve për të siguruar rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim, palët ranë dakord mbi rëndësinë e koordinimit të hapave që do të lehtësojnë zbatimin e reformës në drejtësi duke siguruar njëkohësisht avancim edhe në prioritetet e tjera kyçe.

Ditmir Bushati

Ditmir Bushati

ditmir bushati

Ditmir Bushati

Ditmir Bushati

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com