TIRANE- Shefi i diplomacisë shqiptare do të shfrytëzojë takimin e Athinës për të biseduar dhe kontribuar në zgjedhjen e të gjitha çështjeve të mbetura pezull mes Greqisë e vedit tonë. “Shqipëria, e gatshme për të biseduar për gjetjen e zgjidhjeve konkrete për çështjet e pa adresuara me Greqinë”, ka qënë deklarata që është bërë nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati gjatë një takimi të veçantë me Presidentin e Greqisë, Karolos Papulias, në kuadër të vizitës që po zhvillon në Athinë. Bushati kërkoi që, si vende anëtare të NATO-s, të trajtohen çështjet e mbartura në përputhje me realitetin e ri në rajon, në kuadër të fqinjësisë së mirë dhe përkatësisë evropiane të të dy vendeve tona.

“Ne jemi të gatshëm të bisedojmë për gjetjen e zgjidhjeve konkrete për çështjet e pa adresuara, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve e janë me interes të ndërsjellë për dy vendet tona”, u shpreh ministri. Duke theksuar vëmendjen e posaçme që qeveria e Shqipërisë i kushton marrëdhënieve të gjithanshme me Greqinë, Bushati i ka nënvizuar vlerësimin se Greqia ka qenë dhe mbetet partner strategjik i Shqipërisë. Ai u shpreh besimplotë në progresin e marrëdhënieve shqiptaro-greke, në interes të dy vendeve dhe popujve tanë, të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të të gjithë rajonit.

Bushati vlerësoi rolin dhe kontributin e çmuar të Presidentit Papoulias në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës së Presidentit të Republikës së Greqisë, por në vijimësi, gjatë gjithë karrierës së tij, kur ka shërbyer në poste të ndryshme të larta të shtetetore. Gjatë takimit u shpreh vullneti i qartë mes palëve për të ecur përpara në raportet dypalëshe. Presidenti Papulias tha se, “marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-greke janë të një rëndësie ekzistenciale për rajonin”. Njëherësh Papulias shprehu mbështetjen e Greqisë në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Në një vit të veçantë, ku vendet fqinje e partnere strategjike si Greqia e më pas Italia, kanë kryesimin e BE-së, Ministri Bushati vlerësoi angazhimin e Greqisë për përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai ndodhet në Greqi në kuadër të aktiviteteve të rëndësishme shumëpalëshe, Takimit të XVI të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës Adriatiko-Joniane dhe Konferencës së Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut e Jonit (EUSAIR). Gjatë ditës së sotme Ministri Bushati do të ketë takime me Kryeministrin grek Andonis Samaras, e zv.kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Evangjelos Venizelos, më që do diskutojë për integrimin dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.


Shkrimi u publikua sot (06.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)