Bushati takime me krerët e Kosovës
Zbatim marrëveshjeve me Serbinë

Bushati takime me krerët e Kosovës<br />Zbatim marrëveshjeve me Serbinë
PRISHTINE - Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë, ka zhvilluar sot takime të veçanta me Presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga, Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, Kryeministrin, Hashim Thaçi dhe Zëvendëskryeministrin për Administrimin e Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviç.
 
Bisedimet janë përqendruar në dy çështje kryesore, zhvillimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh dhe domosdoshmëria e zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi, të arritur me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së.
 
Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen për rolin dhe kontributin e Shqipërisë në çdo hap dhe arritje që ka shënuar Kosova, përfshi këtu edhe marrëveshjen e 19 Prillit  e arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo njëherësh theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetjeje edhe në procesin e implementimit të kësaj marrëveshjeje.
 
Ministri Bushati siguroi për mbështetjen e Qeverisë Shqiptare në zbatimin e kësaj marrëveshje, e cila ka dy garantues të mëdhenj, partnerët dhe miqtë e mëdhenj të Kosovës dhe Shqipërisë, BE dhe SHBA. Me këtë rast, Bushati ka vlerësuar karakterin strategjik të marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe domosdoshmërinë për t’i çuar ato më tej, për t’i shndërruar në model të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.
 
Në takimin me Kryeministrin Thaçi palët nënvizuan idenë se qëllimi kryesor i partneritetit tonë strategjik mbetet veprimi konkret i të dy qeverive tona në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë.  
 
Ministri Bushati përgëzoi vendosmërinë e qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit Thaçi për zbatimin e  Marrëveshjes se 19 prillit, që mundësoi mbajtjen e zgjedhjeve lokale në të gjithë territorin e Kosovës, përfshi dhe veriun e saj dhe konstituimin e të zgjedhurve vendor, në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës.
 
Ministri Bushati u shpreh se viti 2013 ishte i rëndësishëm për Kosovën e rajonin: Marrëveshja Kosovë-Serbi; Negociatat për MSA dhe marrja e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Ai ritheksoi gatishmërinë e Shqipërisë për shkëmbim përvoje në këto dy procese tejet të rëndësishme që janë sanksionuar dhe në Deklaratën e Partneritetit Strategjik të nënshkruar në Prizren.
 
Një vend të veçantë në këto bisedime iu kushtua domosdoshmërisë së intensifikimit të gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe, për të krijuar një hapësirë dhe një treg të përbashkët mes dy vendeve.
 
Palët ndanë mendimin se gjatë këtyre dy muajve është vërejtur një ecuri pozitive në këtë drejtim, janë nënshkruar katër marrëveshje në fushën e energjetikës, punësimit, kulturës dhe turizmit, ndërkohë që pritet të arrihen marrëveshje në fushën e arsimit, financës dhe zhvillimin e projekteve të tjera në infrastrukturë.
 
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se me gjithë arritjet e deritanishme ka ende hapësira për shfrytëzimin më me efikasitet të potencialeve të të dy vendeve. Ministri Bushati u shpreh se mbledhja e ardhshme e përbashkët mes dy Qeverive që do të zhvillohet në Vlorë synon të vitalizojë këto potenciale.
 
Në takimin me Kryetarin e Kuvendit Krasniqi u theksua rëndësia që në kuadër të partneritetit strategjik, krijimi i një tregu të përbashkët është me shumë rëndësi për të dy vendet tona, dhe në këtë prizëm u vlerësua dimensioni i bashkëpunimit ndërparalamentar. 
 
Ministri Bushati në takim me Zv/kryeministrin Petroviç vlerësoi rolin dhe vizionin e tij në progresin e normalizimit të marrëdhënieve mes shqiptarëve e serbëve në Kosovë, përfshi këtu edhe marrëveshjen e fundit mes Kosovës e Serbisë të arritur në Bruksel. Ai garantoi zotin Petroviç se Qeveria Shqiptare ka përkrahur dhe do të vazhdojë t’i përkrahë projektet e bashkëpunimit ndërkufitar.
 
Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë Ministri Bushati zhvilloi takime të veçanta me Kryetarin e ri të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, dhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti. Vizita e Ministrit vazhdon dhe gjatë pasdites, ai do të takohet dhe me kryetarët e partive parlamentare, Ramush Haradinaj-AAK dhe me Isa Mustafa-LDK.
 
Gjatë kësaj vizite, ministri Bushati do të nderojë dhe përkujtojë figura të çmuara të Republikës së Kosovës, duke bërë homazhe në varrin e Ish-Presidentin Ibrahim Rugova dhe të heroit të lavdishëm Adem Jashari.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Notoi në lumin Sena për garën e Lojërave Olimpike, atletja ndan eksperiencën: Pashë gjëra që as dua t’i mendoj

Paris 2024/ Notoi në lumin Sena për garën e Lojërave Olimpike, atletja ndan eksperiencën: Pashë gjëra që as dua t’i mendoj