Bushati vizitë në Japoni: Të hapet 
ambasadë japoneze në vendin tonë

Bushati vizitë në Japoni: Të hapet <br />ambasadë japoneze në vendin tonë
Më 6 prill, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati filloi vizitën zyrtare në Japoni me një numër takimesh të nivelit të lartë. Qëllimi i kësaj vizite është intensifikimi i dialogut politik, rritja e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe nxitja e kompanive dhe biznesit japonez për të investuar në vendin tonë.

Gjatë ditë së parë të kësaj vizite, Ministri Bushati u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë, Fumio Kishida, me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Japonisë, Nabutaka Machimura, me Grupin Parlamentar të Miqësisë Japoni-Shqipëri dhe me  zv. Presidentët e Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), Masakazu Ichikawa dhe Domichi Hideaki.  

Në takimin me Ministrin e Jashtëm Kishida u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike dhe ekonomike dhe u theksua ruajtja e dialogut politik në nivelet më të larta të mundshme. Ministri Bushati vlerësoi asistencën dhe ndihmën e vazhdueshme që Japonia i ka dhënë Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit, duke theksuar se “mbështetja e pandërprerë e Japonisë në kuadër të ndërtimit dhe fuqizimit të kapaciteteve të administratës shtetërore, është një histori suksesi.”

Gjatë takimit, dy ministrat biseduan për hapat që mund të ndërmerren drejt hapjes së ambasadës së Japonisë në Tiranë. Ndër çështjet e tjera që u diskutuan ishin edhe lehtësimi i regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, dialogu i strukturuar politik dhe bashkërendimi diplomatik midis dy institucioneve përkatëse.     

Gjithashtu, ministrat e jashtëm të dy vendeve diskutuan mbi bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke në organizatat ndërkombëtare si dhe për rakordimin e qëndrimeve mes Shqipërisë dhe Japonisë për çështje të sigurisë ndërkombëtare.

Ministri Bushati bëri një ekspoze të angazhimeve të qeverisë në kuadër të reformave të brendshme për forcimin e shtetit ligjor, luftën ndaj korrupsionit dhe rolin aktiv të Shqipërisë në rajon.

Në kontekstin ekonomik, Ministri Bushati theksoi domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e kompanive japoneze për të investuar në vendin tonë.

Në takimin me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit, Nabutaka Machimura dhe me Grupin Parlamentar të Miqësisë Japoni-Shqipëri, u diskutua gjerësisht mbi bashkëpunimin parlamentar si një nga shtyllat kryesore të bashkëpunimit dypalësh.

Ministri Bushati falënderoi parlamentarët japonezë për rolin e tyre aktiv në drejtim të promovimit të Shqipërisë dhe të tërheqjes së investimeve japoneze në Shqipëri në fusha me interes reciprok.

Një nga takimet e rëndësishme ishte edhe ai me Zv/Presidentët e JICA-s, Ichikawa dhe Hideaki.

Ministri Bushati falenderoi JICA-n për gatishmërinë dhe bashkëpunimin që kjo agjenci ka treguar për më shumë se dy dekada në projekte shumë të rëndësishme për vendin tonë, duke u cilësuar si një nga donatorët dypalësh më të fuqishëm për Shqipërinë, me investime dhe grante që kapin vlerën e mbi 220 milionë Euro.

Bashkëbiseduesit u përqendruan jo vetëm në përshpejtimin e zbatimit të projekteve aktuale, por dhe mbi një sërë projektesh të qeverisë shqiptare për vitet në vazhdim në fusha prioritare për vendin tonë, si bujqësia, peshkimi, infrastruktura, turizmi, energjia dhe mjedisi. 

Dita e dytë e vizitës do të vijojë me takime që Ministri Bushati do të zhvillojë me agjenci shtetërore japoneze të bashkëpunimit ekonomik dhe teknik, si dhe me përfaqësues të komunitetit të biznesit, të cilët kanë shprehur interes për të investuar në vendin tonë.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve