Buxheti 2012, investime e më pak taksa

Buxheti 2012, investime e më pak taksa
Sipas kryebashkiakut, Basha zëri kryesor i buxhetit janë investimet dhe shpenzimet për shërbimet publike, ndërsa do të reduktohen shpenzimet për personelin. Rreth 50% e investimeve të Bashkisë do të jenë tërësisht të reja, ndërsa 5% do të jenë vazhdimi dhe përfundimi i investimeve të nisura më herët. Basha premtoi se këtë vit do të ndërtohen rreth 65.000 m2 rrugë, prej të cilave 33.000 m2 rrugë të reja; do të rikonstruktohen rreth 153.000 m2 rrugë ekzistuese dhe 79.000 m2 trotuare, si dhe do të ndërtohen dy ura të tjera mbi Lanë. Në këtë suazë, kryetari i Bashkisë premtoi se vetëm në Minibashkinë 5 është parashikuar ndërtimi dhe rikonstruksioni i 7 rrugëve, si ndërtimi i rrugës “Marko Boçari”; ndërtimi i rrugës “Robert Shvarc”; rikonstruksioni i rrugës “Qemal Butka”; rikonstruksioni i rrugës “Ilia Dilo Sheperi”; rikonstruksioni i rrugës “Brigada VIII”; ndërtimi i Rrugës së Kosovarëve dhe rikonstruksioni i rrugës “Pjetër Bogdani”. Gjithashtu kryebashkiaku tha se janë parashikuar 100 ha rikualifikime urbane, ku përfshihen blloqe banimi, sheshe, qendra, ujësjellës-kanalizime, sistemimi i shtratit të lumit Lanë dhe ndërtimi i rrugëve paralel deri tek Ura e Shkozës. Sipas tij, në buxhetin e vitit 2012 është parashikuar të investohet edhe në rritjen e sigurisë në rrugë, korsitë e dedikuara, sinjalistikë e ndriçim. Kryetari i Bashkisë tha se buxheti parashikon gjithaq një shpërndarje të qartë të burimeve të Bashkisë anembanë qytetit, rritje të transparencës dhe mbështetje të prioriteteve kryesore si punësimi. Në infrastrukturën arsimore janë parashikuar të ndërtohen katër shkolla të reja 9-vjeçare, dy shkolla të mesme, tri kopshte të reja, dy çerdhe të reja dhe do të rikonstruktohen 11 kopshte dhe pesë çerdhe fëmijësh. Në vijim të mbështetjes së të rinjve, Bashkia e Tiranës do të vijojë të ofrojë bonuse financiare për nxënësit e shkëlqyer të shkollave nëntëvjeçare e të mesme, për të rritur konkurrencën dhe nivelin arsimor në shkollat e qytetit, e gjithashtu do të ofrojë shkolla verore për fëmijët.
Licencat dhe reduktimi i taksave
Aplikimi online për lejet dhe licencat është një tjetër reformë e rëndësishme që parashikohet nga Bashkia. Në buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet edhe ngritja e qendrës me një ndalesë për lejet dhe licencat në Bashkinë e Tiranës, në mënyrë që edhe ky shërbim të vijë sa më i lehtë. Reduktimi i dokumentacionit, dhënia e procedurave online në internet dhe me një ndalesë të vetme, jo vetëm do të ulin kohën e stresin, por kanë një impakt të drejtpërdrejtë financiar. Vetëm në tri qytete që janë pak a shumë sa 5 minibashki të Tiranës, sipas studimit të USAID solli 6 milionë dollarë kursime. Pra, të jemi të bindur që, i aplikuar siç duhet, ky sistem do të sjellë dy herë më shumë kursime. Bëhet fjalë për 1 mijë deri në 1500 vende pune. Brenda dy javësh, në Këshillin Bashkiak do të dërgohet propozimi. Për të gjitha bizneset e reja që punësojnë më shumë se 50 persona nga lista e të papunëve të Tiranës, nuk do të paguajnë taksat e tarifat vendore, ndërsa për të gjitha ata që punësojnë mbi 75 veta në sektorin e ndërtimit, ne do të ulim me 30% edhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, e cila është një nga taksat kryesore kontributore të Bashkisë.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore