Buxheti 2014, çamët nuk morën
pjesë në votim, Opozita i tha "Jo"

Buxheti 2014, çamët nuk morën<br />pjesë në votim, Opozita i tha
TIRANE- Pas 24 orë debatesh, Parlamenti ka miratuar në parim me 79 vota pro dhe 37 kundër, buxhetin për vitin 2014. Ndërkohë që deputetët e opozitës votuan kundër, kishte dhe aleatë të djathtë, siç ishin çamët, të cilët preferuan që të mos merrnin pjesë në votim. Edhe pse shpesh po përflitet për një kalim të mundshëm të tyre në koalicionin e majtë pas janarit, duket se shmangia e votimeve të cilat janë me votën kundër të opozitës është në funksion të këtij qëllimi. Ndërkohë që edhe për paketën fiskale si dhe për projketligjet që përmban kjo paketë opozita ka shprehur votën e saj kundër.

Por përveç replikave me batuta mes kryeministrit Rama dhe ish-kreut të qeverisë, Sali Berisha në lidhje me buxhetin e qeverisë, nuk munguan as denoncime nga ana e Ramës për shpenzime kolosale që ka bërë qeveria paraardhëse. Për të dhënë një ide se si është qeverisur gjatë kohës së Berishës, kryeministri Edi Rama bëri një krahasim me koncertet që bën Madonna dhe koncertet që bënte Çiljeta. “Kjo është përsëritja e historisë së Sudeve dhe të Vehbiut, por në një formë të re. Në formën diabolike, të mbajtjes me çdo kush të një pushteti, duke e marrë hua të ardhmen për të luajtur kumar dhe për të bërë qejf në të tashmen.

Kur Madonna shkoi të këndonte në Budva, e gjithë teknologjia për skenën dhe për foninë kushtoi 120 mijë euro. Kur Çiljeta ia mori këngës në 28 Nëntor, teknologjia për skenën dhe foninë kushtoi 1 milionë e 420 mijë dollarë. Ja kjo është fatura e kumarit dhe e ahengut të një kryefamiljari, i cili mori peng të ardhmen e shtëpisë”, tha Rama.

Denoncimi i Kodhelit
Në kuadrin e zbulimeve të skandaleve qeveritare në lidhje me shpenzimet e kryera nga qeveria paraardhëse, ministrja Kodheli renditi detyrimet e papaguara nga ish-ministri Imami. “3 milionë dollarë janë shpenzuar shtesë për Shërbimin e inteligjencës Ushtarake, SHIU, në një kohë kur ky institucion kishte fondin e vet. Forcat e armatosura ishin kthyer në bazën logjistike të ish partisë në pushtet. 337 mln lekë detyrime të papaguara për paga e shpenzime të tjera, personeli si dieta, janë detyrime të papaguara në 2010, 2011, 2012, 2013. 194 milionë lekë lekë detyrime, ushqim i ushtarakëve të papagaruara. Ju i hoqët bukën ushtarakëve, trajtimin modest në menca. Trupat në Afganistan ne do i paguajmë që në ditët e para të 2014”, tha Kodheli.

S`ka hetim të Tatimeve nga PD, Doshi pro kërkesës së PD
Kuvendi rrëzoi me 35 vota pro dhe 76 vota kundër kërkesën e grupit parlamentar të PD për ngritjen e një komisioni hetimor për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazës së të dhënave shtetërore tatimore. Pro kësaj kërkese ishte deputeti i PS, Tom Doshi si dhe kundër votoi deputeti i PD, Mhill Fufi. Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi tha një grup specialistësh, kanë ndërhyrë në serverin qendror të të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve, duke shkaktuar mosfunksionimin e sistemit elektronik tatimor për më shumë se 2 javë dhe duke cënuar të dhënat konfidenciale të qytetarëve.

 DEBATET

Berisha: Miratuat buxhetin në shpellat e qeverisë. Rama: Je bërë si plaku që të soset kandili
 
Berisha:Buxheti u miratua fshehtas në shpellën e qeverisë, maratonë gjithë natën për të fshehur të vërtetën nga ju arriti tani në finish. Këta mburracakë, përsërisin si papagaj, megamshtrimin e një mëndje që prodhojnë çdo ditë gënjeshtra të tilla. Ah dhe kjo, ky buxhet ka përjashtuar Veriun, totalisht nga investimet. Mbylle gojën aty(Ramës)se nuk dua të të numëroj gjëra që nuk dua të them. E di unë, ke hall atë punën e synetit, por unë të flas në politikë, por ai fiziku nuk ta lejon ty, të veshin një këmishë të gjatë dhe pastaj të bëjnë synet. E dimë që je t’i që fshihesh pas vetes tate, ke këtu 3-4 sharës profesionistë që u çon sms dhe fshihesh pas tyre.
Topalli: I premtove parajsën se do hajnë me lugë të artë. Çdo fletë e këtij buxheti ka një C4 në familjen tuaj, është një sahat me minë për familjen tuaj. Buxhet hedh në erë Shqipërinë.

AHMETAJ: Po 97 për qind të shqiptaërve përfitojnë. Heqim taksën e sëmundjës. Ne do të taksojmë më shumë duhanin se besojmë tek shëndeti i duhanit. Ky buxhet hap rrugën e zhvillimit të Shqipërisë.
Berisha: Dëgjuat këtu alternativën e Hermesit, e një hajduti që ka vjedhur 11 milionë dollarë dhe dosja ju mbyll nga prokurori socialist. Këto fjalë kanë në bazë fshehjen e shpërblimit për vitin e ri, rrogën e 13, të fshehë, rritjen e taksave. Të fshehë shndërrimin e të gjitha premtimeve, në mashtrime. Ky që foli para meje e kontrollon Canin, pasi e cilëson si matuf dhe e kontrollon të gjithin.

Meta: Ki parasysh se janë Krishtlindjet sot
Berisha: Çdo dy tre muaj ndërron besimin ai, kot. Në një hark 3 mujor diskreditoi Shqipërinë para syve të botës, e bëri për karrigen e tij, bllokoi statusin, zgjoi reagimin më të madh, në një hark tre mujor po shndërron financat publike në një gjëmë të madhe që do zërë të parin atë poshtë. Unë e di që ju s’ia thoni, por ai duhet të vizitohet.
Rama: Besoj se nuk na takon ne ajo që ju takon ju,që duhet të silleni me përgjegjshmëri, kur plakut i soset kandili nuk e lë të dalë nga shtëpia. Bëjeni këtë për veten tuaj, opozitën dhe për ta lënë Shqipërinë të vazhdojë përmes një debati normal mes nesh e jush e të mos e kthejmë në një lagje sa herë që plaku del nga shtëpia dhe i soset kandili.

BERISHA: Ka fjetur në hotel me 4 mijë dollarë unë s’kam fjetur kurrë në një hotel më të shtrenjtë se 700 dollarë nata. Asnjë nga stafi im, nuk ka udhëtuar me biznes, manari i tij, Fuga udhëton gjithmonë në biznes ngjitur me të. Ti mund të citosh ç’të duash, por një vizitë te psikiatri është jetike për vendin. Të vizitoni këtë njeri që me një të rënë të lapsit, merr borxh për të rrënuar vendin. Çfarë prisni ju t’i bëni një vizitë te psikiatriku. Kolegët të mi e kanë mjekuar këtë, vite më parë e kanë çuar me barelë të lidhur.
Rama: Kur shtëpia ka një familjar kumarxhi që ikën e akumulon borxhe e gjithë shtëpia nuk e di fare, dhe një ditë të bukur sheh një karvan njerëzish që kërkojnë paratë. Ata i kanë dhënë borxh kryefamiljarit kumarxhi të shkojë të lozë për tekat e tij duke e zhytur shtëpinë në një hall shumë të madh. Ky është hall i madh ku Shqipëria u gjend për shkak të një zinxhiri borxhesh që nuk figuronin në defterin e qeverisë kur kjo vinte në parlament e fliste për nivelin e borxhit.


Shqyrtohet buxheti nën për nenn në komisionet parlamentare

Buxheti për vitin 2014 filloi shqyrtimin dje nen për nen  në Komisionin e Ligjeve. Ndërkohë që në Komisionin e Ekonomisë u realizua një seancë dëgjimore me grupet e interesit. Lidhur me këtë buxhet, i cili pritet të miratohet në tërësi para vitit të ri, pritet që nga palët të ketë edhe amendamente. Pritet gjithashtu edhe hartimi i një raporti nga komisioni përgjegjës, ai i Ekonomisë, i cili do të hidhet në seancën tjetër në votim.
 
 
Shkrimi u publikua sot (25.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Pas shërimit nga Covid, Biden kthehet sot në Shtëpinë e Bardhë

Pas shërimit nga Covid, Biden kthehet sot në Shtëpinë e Bardhë