Nga zërat kryesore, rritja më e madhe u shënua nga tatimin mbi fitimin, mbi 8%, si në raport me planin 2017, ashtu dhe faktin e 2016-ës. Të ardhurat nga TVSH, që është prurësi kryesor i buxhetit, rezultuan 6.2 për qind më të larta se plani, ndërsa në raport me planin e vitit rënia ishte 1.2 për qind.
Akciza shënoi një rritje faktike me 10 për qind, por ne krahasim me planin të ardhurat nga ajo ishin -1.3 për qind më të ulëta.Tatimi mbi të ardhurat personale shënoi një rritje të lehtë krahasuar me 2016, por ka një mosrealizim të theksuar prej 11 % në raport me planin 2017, si pasojë e amnistisë fiskale që uli tatimin mbi të ardhurat nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme.
Gjithashtu të ardhurat nga sigurimet shoqërore kanë shënuar një rritje gati me 10 për qind në raport me vitin 2016, teksa rritja ka vijuar edhe në raport me planifikimin e vitit me rreth 3 për qind. Arkëtimet u nxiten nga rritja e pagës minimale në shkallë vendi me 200 mijë lekë, çka ka ndikuar automatikisht pagesat për sigurimet.
Mungesa e të ardhurave detyroi qeverinë të kursejë edhe te shpenzimet. Kursimet më të mëdha u kryen te fondi i investimeve publike në masën 5 miliardë lekë. Ndërsa niveli i deficitit në vitin 2017 rezultoi në rreth 31 miliardë lekë, rreth 4.3 miliardë lekë më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ose 16.3 për qind më shumë.
Ndërtimi
Ndryshe nga sa është deklaruar kohët e fundit nga opozita, Ahmetaj tha se rritja në sektorit të ndërtimit i atribuohet rritjes së huave për ndërtim. “Ekonomia është në një trajektore rritëse të qëndrueshme. Janë rritur huatë për ndërtim, si përgjigje e pyetjes se ku dalin paratë për ndërtim. Kjo rrëzon qëndrimet politike apo emocionale të çdokujt”, ka thënë ministri. Huaja për pasuritë e paluajtshme është rritur me 6%, shtoi ai.
Papunësia
Ministri përmendi edhe uljen e papunësisë në vend. “Punësimi u rrit në 2017-ën. Krahasuar me 2014-ën, ka ulje prej 4% papunësia, gati rritje prej po 4% të pjesëmarrjes në forcat e punës. Në mandatin e dytë të qeverisë Rama, papunësia po shkon drejt shifrës njëshifrore“.
Ekonomia
Ahmetaj në vijim të fjalës së tij dha një panoramë të përgjithshme të ecurisë së ekonomisë në vend. “Pati 12.1% rritje eksportet në 2017, ja nga vjen monedha e huaj. Rritja e eksporteve në janar është 23.6%, perspektiva është e mirë, ka përmirësim të bilancit të pagesave. Është përmirësuar ekonomia për shkak të reformave. Eksportet bujqësore në janar 2018 janë rritur 40.3%. Borxhi publik ka qenë në trajektore rënëse nga 2013 në 2017”, tha ministri.

Tabela me pasqyrën e të ardhurave

Komisioni i pavarur i kualifikimit
d.gj/ Shqiptarja.com






