Konkretisht, 16 nga amendamentet ishin propozuar nga PD, 3 nga LSI dhe 1 nga deputeti socialist Ilir Beqja. Mazhoranca, përmes forcës së kartonëve i ka hedhur poshtë të gjithë, përfshirë atë të deputetit të saj.
Ajo ka lënë në fuqi paketën fiskale, duke mos lejuar ndryshimet për sistemin e taksave, të propozuara nga demokratët, dhe as ato për dhënien e koncesioneve. I vetmi propozim i ri i miratuar ka qenë ai për përjashtimin e pensionistëve nga taksa për banesën.
Më herët gjatë seancës, duke komentuar 16 amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike, kryeministri Edi Rama tha se ato rrisin borxhin publik me 10% dhe i cilësoi asgjë më shumë sesa programi elektoral i PD në 2005-n.
“PD nuk ka asnjë vizion alternativ për Shqipërine, s’ka asnjë program alternativ për të ardhmen dhe nuk ka asnjë ide tjetër përveç ideve të vjetra të programit elektoral të 2005-s”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se, ndërsa propozimi i tij e ul borxhin në 68.9%, ai i opozitës e çon në 79%. Ky është “kthim tek taksa e sheshtë e Saliut, siç ishte në 2005, taksimi njësoj i të vegjëlve dhe të mëdhenjve. Një propozim për ta ulur TVSH-në në 15%, që nuk ekziston në asnjë vend”, tha Rama.
G.F. / Shqiptarja.com










