Tiranë - Buxheti për sektorët e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2020 parashikohet të jetë 77 miliardë e 735 milionë e 940 mijë lekë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka paraqitur para Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë prioritetet e buxhetit për vitin 2020, duke theksuar se buxheti ka pësuar rritje krahasuar me 2019 me synim vazhdimin e mbështetjes së programeve në shëndetësi dhe mbrojtje sociale.
“Buxheti për sektorët e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2020 ka një rritje me 4%, krahasuar me 2019. Vetëm për sektorin e shëndetësisë rritja e buxhetit, krahasuar me buxhetin e vitit 2013 është 48% më shumë. Gjatë vitit 2020 financojmë 26 milion dollarë vetëm për investimet në shëndetësi”, tha Manastirliu.
Buxheti i vititi 2020 do të mbështesë politika të reja shëndetësore.
“Për herë të parë financojmë me buxhetin e ri transplantin e palcës së kockës, hapim shërbimin e ri të kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” dhe nisim për herë të parë programin kombëtar të kancerit të gjirit me vendosjen e mamografisë së detyrueshme”, tha Manastirliu.
Me buxhetin 2020, rindërtohen 120 qendra shëndetësore, rehabilitohet dhe zgjerohet materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, vijon puna për ndërtimin e maternitetet të Beratit, Lezhës dhe Kukësit, pediatrisë së Durrësit, vijon modernizimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me ndërtimin e spitalit të ri modern të sëmundjeve të brendshme me vlerë 14.28 milionë euro, si dhe për spitalin e ri të pediatrisë me vlerë 9,1 milionë euro.
Manastirliu theksoi se kujdesi ndaj nënës dhe fëmijës janë prioritet i qeverisë shqiptare.
“Buxheti i vitit 2020 mbështet financimin në vlerën 2 miliard lekë për bonusin e bebes, si një politikë pro natalitetit dhe që shkon direkt për mbështetjen e familjeve të reja”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu gjatë prezantimit të buxhetit 2020 është ndalur tek programet dhe investimet që do të prekin mbrojtjen sociale.
“Buxheti i vitit 2020 do të financojë pagesat e personave me aftësi të kufizuar për rreth 166 mijë përfitues dhe me reformën e re të aftësisë së kufizuar do të përfshihen të gjithë ata persona që përjashtoheshin nga ligji i sigurimeve shoqërore, persona me aftësi të kufizuar që nuk e përfitonin KMCAP për shkak se nuk kishin një vit të siguruar në 5 vitet e fundit. Gjithashtu buxheti i ri do të mbulojë pagesat për rreth 66 familje në ndihmë ekonomike”, tha Manastirliu.