Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka prezantuar përmes një postimi në Facebook prioritetet e Buxhetit 2027, i cili për herë të parë kalon 10 miliardë euro, duke theksuar se qytetari është në qendër të investimeve.

Për ministrinë që ai drejton janë parashikuar 7.65 miliardë lekë, ndërsa për kulturën 5.45 miliardë lekë, me rritje të ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme. Gonxhja bën të ditur gjithashtu rritjen e financimit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë me 80%, për institucionet e artit dhe kulturës me 322%, si dhe për sportin me 73%.

Ai thekson se buxheti parashikon edhe 106 pozicione të reja pune, krijimin e Fondit Kombëtar për Artin dhe më shumë mbështetje për aftësimin, punësimin dhe kreativitetin e të rinjve, veçanërisht vajzave dhe zonave rurale.

"Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, projektbuxheti i vitit 2027 tejkalon 10 miliardë euro, në një moment vendimtar të rrugëtimit tonë drejt Bashkimit Europian.

Ekonomia e shprehur në prodhimin e brendshëm bruto është trefishuar, duke arritur në 30 miliardë euro. Papunësia dhe borxhi publik zbritën në nivel historik, më shumë investime vendase e të huaja, më shumë të ardhura pa i rritur taksat. Një rritje buxheti që synon shpërndarje më të drejtë të përfitimeve të zhvillimit. Rritje pagash, rritje pensionesh; rritje mbështetjeje sociale; mbështetje për familjet e reja me bonus mujor për fëmijët deri në 5 vjeç; dyfishohet mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara; rriten bursat për studentët në nevojë. Njëkohësisht, shtohen fondet për arsimin, shëndetësinë dhe strehimin e përballueshëm.

Kultura, turizmi, rinia dhe sporti marrin një dimension të veçantë: si sektorë që ruajnë dhe promovojnë vlerat tona kombëtare, krijojnë mundësi të reja zhvillimi shoqëror e ekonomik, duke forcuar imazhin tonë edhe ndërkombëtarisht.

Pikërisht në këtë drejtim orientohet edhe projektbuxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, i cili arrin në 7.65 miliardë lekë, 3.5% më shumë se në vitin 2026.

Financimi për kulturën arrin në 5.45 miliardë lekë, gati katër herë më shumë se në vitin 2013. Një investim që synon ta bëjë kulturën më të pranishme në jetën e qytetarëve dhe të krijojë më shumë hapësira për artistët, krijimtarinë dhe talentet e reja.

Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, 2.08 miliardë lekë, me një rritje prej 80%. Kjo do të thotë më shumë monumente të restauruara, banesa historike të shpëtuara dhe kulla tradicionale të rijetëzuara, që jo vetëm ruajnë historinë tonë, por nxisin turizmin, ekonominë lokale dhe energjizojnë komunitetet.

Vijojnë investimet në Teatrin e ri Kombëtar, Galerinë Kombëtare të Arteve, Qendrën e re Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe rrjetin e kinemave publike në 7 bashki. Më shumë hapësira ku qytetarët të kenë akses në art e kulturë, ku fëmijët të zbulojnë talentin dhe artistët të zhvillojnë krijimtarinë e tyre.

Rritje me 322% e financimit për institucionet e artit dhe kulturës nga 3 vite më parë! 106 pozicione shtesë për profesionistët e kulturës, 9% rritje në nivel sistemi! Fond i ri Kombëtar për Artin, +21.7% rritja e financimit për projekte artistike në vitin 2027! 

Financimi për sportin rritet me 73%, për të mbështetur talentet e reja dhe për rezultate më të larta në sport.

Për të rinjtë, fokusi mbetet te aftësimi, punësimi, kreativiteti, rritja e kapaciteteve dhe e mundësive për vajzat dhe të rinjtë në zonat rurale.

Ky është edhe dimensioni njerëzor i Buxhetit 2027, me në qendër qytetarin, këtu, në atdheun e një jete më të mirë, më të pasur në mundësi e ku askush nuk lihet pas."- shkruan Gonxhja.


Lajmi kryesor:

Buxheti 10 miliardë euro, Demo: Rritja e ekonomisë duhet të ndihet në çdo familje shqiptare, më shumë siguri dhe mirëqenie për qytetarët (VIDEO)