Ministria e Financave kapublikuar shifrat e realizimit të buxhetit për muajin e pare të vitit, ku spikat një rritje e investimeve, nga 1.7 miliardë lekë më 2011, në 6.2 miliardëlekë sivjet. Në të njejtën kohë, huamarrja brenda vendit, në formën e bonove të thesarit apo obligacioneve afatgjata, është rritur, nga 2.3 miliardë lekë në janar 2011, në 8.1 miliardë lekë. Me këtë, qeveria është përpjekur të mbulojë rënien e financimeve nga jashtë vendit, që kanë shënuar një rënie të vogël, nga 660 milionë, në 524 milionë lekë. Të ardhurat në total kanë qenë më shumë se 5 për qind më të larta se një vit më parë. Nga tatimet e doganat shifra ka kaluar, nga 16.7 miliardë, në 17.1 miliardë lekë, ndërkohë që edhe TVSH-ja, e cila ka shënuar rënie vitet e fundit, paraqitet në rritje, nga 8.4 miliardë, në 8.8 miliardë lekë. Por, të ardhurat personale kanë shënuar rënie, nga 2.47 miliardë, në 2.46 miliardë lekë. Të ardhurat që mbledh pushteti vendor nga taksat mbi biznesin e vogël kanë shënuar një rritje 1.5 herë, por nga buxheti qendror këtij pushteti i janë dhënë më pak fonde se një vit më parë në të njejtën periudhë.
Sa i përket shpenzimeve, sërish qeveria nuk ka mundur të përmbahet nga tendenca për t'i rritur ato, duke kaluar nga 24 miliardë, në 25.4 miliardë lekë.
Por, janë ulur shpenzimet korrente, ato operative, subvencionet, etj, ndërkohë që investimet janë katërfishuar. Në të njejtën kohë, shteti ka rritur pagesën e papunësisë krahasuar me vjet dhe ka ulur sasinë e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë,. Në total, shpenzimet për qëllime sociale nga buxheti qendror kanë kaluar nga 1.9 miliardë, në 887 milionë lekë, një ulje afro 50 për qind. Në fondin e kompensimit të pronarëve janë grumbulluar sivjet në muajin e pare 221 milionë lekë, por asnjë lek nuk është shpërndarë gjatë janarit për ta. Në janar nuk është kryer asnjë pagesë edhe për ish-të përndjekurit, ndërkohë që vjet u dhanë 450 milionë lekë. Duket se vëmendja është përqendruar tek shpenzimet kapitale, për ndërtimin e objekteve me rëndësi infrastrukturore, por gjatë shkurtit bilanci duhet të jetë rënduar sërish, pas një pagese të kripur nga buxheti për importin e energjisë elektrike.
(aq/shqiptarja.com)