TIRANE- Pas një seance të gjatë maratonë, Kuvendi miratoi me 109 vota buxhetin faktik të vitit 2012. Opozita dhe mazhoranca u përplasën mes tyre në lidhje me të dhënat e publikuara nga qeveria Berisha si dhe shifrave të gjetura nga qeveria e re. Në fillim të debatit, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, drejtoi akuza të ashpra dhe direkte për ish-kryeministrin Sali Berisha si dhe ish- ministrin e Financave, Ridvan Bode për keq menaxhim të financave publike, për fshehje të borxhit publik, për vjedhje në administratën tatimore e doganore, si dhe për paraqitje buxhetesh të ekzagjeruara, të përsëritura.

“Çifti 2B nuk e kuptoi që ekonomia kishte marrë rrokullimën. Rezervat e qeverisë dhe pse dimri ishte përpara i grabitën dhe pilafin e groshën në shtëpi rrezik i bëjnë në shtëpi nga rezervat. Ish-qeveritarët që kanë grabitur para nga buxheti, prona në hipoteka, nuk janë mjaftuar dhe kaq, por kanë pirë dhe naftën në përdorim. Ish ministri i bie të ketë udhëtuar 200 km cdo ditë, duket e ka inspektuar rrugën Tiranë-Pekin”, tha Cani. Nga ana e tij ish- ministri i Financave, Ridvan Bode,tha se këtu duhet të ishim sot për buxhetin e vitit 2014, pasi kanë kaluar të gjitha afatet. "Buxheti i vitit 2012 është çertifikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe ai ka konstatuar se përgatitja e zbatimi i tij, kontrolli e kontabiliteti e auditimi i buxhetit janë kryer në respektim të Kushtetutës e ligjit në fuqi", tha Bode.

Ai tha se  fakte për shkeljet që pretendo mazhoranca mund ti drejtohen Prokurorisë. “Rrëmo sa të duash, nuk ke për të gjetur asnjë kushëri të timin në dogana e askund, asnjë rast që të kem favorizuar për arsye korruptive, ke dokumente dhe kërkesat e ministrisë të kompanive dhe administratës për investimet prioritare. Ju kërkoni të përbaltni dhe flisni pa doganë, flisni rromba tomba, nëse ju thoni se ne kemi mashtruar, thoni që borxhi është më i ulëti historik se ne ulëm shpenzimet, sepse ranë të ardhurat. Për çdo shkelje, drejtohuni në Prokurori, ja ku i keni” deklaroi Bode.

1 minutë heshtje për Olldashin
Kuvendi i Shqipërisë nisi seancën e djeshme me një minutë heshjte për ndarjen nga jeta në mënyrë të parakohshme të deputetit të PD, Sokol Olldashi. Në fillim të seancës plenare, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta ftoj të gjithë deputetët për të mbajtur një  minutë heshtje, për mikun, kolegun  dhe kundërshtarin  politik, Sokol Olldashi, i cili u nda nga jeta, nga familja, miqtë dhe kolegët e tij, duke lënë pas një dhimbje të rëndë dhe të thellë. Meta shprehu dhembjen dhe mungesën për kolegun, deputetin që drejtoi për katër legjislatura me radhë, ish-ministrin, ish-gazetarin dhe në nder të figurës së tij u vendos një tufë e madhe me lule në vendin ku qëndronte Olldashi.
 
Votimet
Në përfundim të seancë së djeshme, deputetët kanë votuar me 104 vota pro dhe 1 kundër projektvendimin “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”. Ka qenë deputeti i PD, Arben Ristani i cili ka votuar kundër grupit parlamentar të PD. Ndërkohë që  dhe 106 vota pro dhe një kundër u miratua edhe projektvendimin “Për fillimin e procedurave parlamentare për kontrollin e veprimtarisë ekonomike të KLSH-së”. Kuvendi miratoi 109 pro dhe asnjë kundër projektrezolutën “Për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri”

Të dhënat, përplasen Berisha, Gjiknuri, Beqaj dhe Cani

Berisha: Vëllai jot, Panajoti këshilltari i kryeministrit shkoi të serveri i tatimeve dhe së bashku me këshilltarin e këtij ministrit të patates, Ramiz Alisë, një Beqiraj se ca është, do të dhënat, por këshilltari i kryeministrit nuk i merr dot kurrë aty. Nuk ia dha IT. Del ministri Beqja dhe thotë shërohen sëmundjet kronike në Shqipëri. Të gjithë e dinë që 01% është e vërtetë kjo.
Cani: Atë patate mbajeni se është e nxehtë, se do ju djegë. E vërtetë ajo që the, se nuk ka sëmundje kronike që shërohet në Shqipëri se ju jeni rast konkret. 4 vjet keni folur për suksese imagjinare, ju vazhdoni po sot, Ekonomia është në ngërc, nuk ka ilac që ju shëron, Beqja të heqë dorë nga shërimi juaj.
Berisha: Siç e dëgjuat, këta janë vetëm për të bërë papagallin dhe për të përsëritur atë cka ju mëson ju dikton një kryepapagall. Të dhënat more zotëri kanë rregullin e marrjes së tyre. Është gënjeshtër që keni cuar audit. Sepse në të vërtetë keni çuar dy këshilltarë, kryeministri të vetin dhe ju vëllain e Damianit, Panajotin dhe kur shefi i IT ka kërkuar zbatimin rregullave, akavaja e ministrit të Brendshëm i ka thënë se do të arrestoj po nuk i dhe. Por si merren këto të dhëna, ku çohen këto të dhëna? 3 ditë në qeli dhe vetëm ditën i dhanë leje avokatit. Ja pra kjo është ministri polic.
Gjiknuri: Shqiptarët e dinë që ke gënjyer, se tek të dhënat e tatimeve ke futur duart.
Berisha: Arrestuat si në vitet ‘50 shefin e IT së tatimeve.
Beqja: Këtë çështjen e serverave e dini mirë ju, se e bërë më 21 janar në mbrëmje. Më i rrezikshëm është ai që di keq. Meqë fole për sëmundje kronike, ju do të mbeteni doktori pacient i politikës shqiptare.
Berisha: Po i përmende serverin ai humbet logjikën.
Cani: Ka 5 vjet që ai 10 dollarëshi që derdhet për çdo biletë në buxhetin e shtetit nuk derdhet, është krijuar një borxh prej 5 milionë dollarë. Të mos paguash taksat është evazion, por t’i marrësh paratë tjetrit që nuk të takojnë është vjedhje. Ju jeni mësuar që të mos e zbatoni asnjë herë ligjin, por ne kemi ardhur për të zbatuar ligjin.Kanë tentuar miq tua t’i fshijnë të dhënat, por aty janë. Një më një po ju vjen radha, nuk ka kush i fshin të dhënat.Kur ju mërmërisnit për trimërinë me Alinë, unë jam takuar dhe kam paralajmërua ku do të shkonte ekonomia shqiptare. Kam fol me zë të plotë, ju vetëm keni mërmëritur. Atë pataten merreni se është e nxehtë mbajeni t’ju bëjë mirë.Ju jeni rast tipik i pashërueshmërisë. Keni fol katër vjet për suksese imagjinare. S’ka ilaç. E pranoi Beqaj të heqë dot nga shërimi juaj.
Berisha: Pa procesverbal ka thënë nuk jap asgjë, si përfundim e arrestuan.Sa i përket karrierës tuaj politike (i drejtohet Canit) nuk dua të hy, ti je njeriu që pasi u vodh thesari i bankës së shtetit, të cilin ju e kishit vendosur në raport të botuar se ekziston, dole u the shqiptarëve se banka nuk ka flori. Të shpëtoi Dhori Sollaku, se ti paguaje me verdhushkat e thesarit të Kërrabës.
 
 Shkrimi u publikua sot (27.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)