Anëtari i Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Bashkisë së Tiranës, Artan Distafa, ka reaguar ashpër ndaj buxhetit të Bashkisë së Tiranës, duke e cilësuar atë si një dokument që, sipas tij, nuk u shërben interesave të qytetarëve, por mban në këmbë një sistem abuzimi dhe keqmenaxhimi të fondeve publike.

Në deklaratën e tij për mediat ditën e sotme, Distafa theksoi se kryeqyteti përballet çdo ditë me probleme serioze, si mungesa e shërbimeve bazë, trafiku i rënduar, ndotja në rritje, çmimet e larta dhe braktisja e zonave periferike. Sipas tij, buxheti aktual nuk adreson këto shqetësime, por favorizon administratën e fryrë, tenderët klientelistë dhe projekte që i shërbejnë propagandës.

Ai e cilësoi inceneratorin e Tiranës si një nga skandalet më të mëdha financiare, duke theksuar se, ndonëse objekti nuk ekziston dhe nuk funksionon, vazhdon të financohet me shuma të mëdha nga paratë publike. Distafa ngriti pikëpyetje mbi prioritetet e buxhetit, duke vënë në kontrast pagesat për këtë kontratë me mungesën e investimeve në transport publik, shërbime sociale, kopshte dhe çerdhe.

Grupi i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë kërkon ndërprerjen e menjëhershme të pagesave për inceneratorin, transparencë të plotë mbi shpenzimet, rishikim të buxhetit dhe përgjegjësi politike nga qeveria dhe drejtuesit vendorë.

Deklarata e plotë: 

" Të nderuar qytetarë!

Buxheti i Bashkisë së Tiranës është sot dokumenti më i qartë që tregon se si paratë e qytetarëve përdoren për të mbajtur gjallë një sistem abuzimi, dhe jo për të zgjidhur problemet reale të kryeqytetit. Ky buxhet nuk është për qytetarët, por për pushtetin. Tirana sot vuan nga mungesa e shërbimeve bazë, nga trafiku i pakontrolluar, nga ndotja alarmante, nga çmimet e larta dhe nga braktisja e lagjeve periferike. Por në vend që buxheti të adresojë këto plagë, ai vazhdon të ushqejë administratën e fryrë, tenderat klientelistë dhe projektet propagandistike.Dhe kulmi i cinizmit është se ky buxhet vazhdon të mbajë gjallë një nga skandalet më të mëdha financiare në historinë e Shqipërisë, inceneratorin fantazmë të Tiranës. Një incenerator që nuk ekziston, një vepër që nuk punon, por që vazhdon të gëlltisë 90 mijë euro në ditë nga paratë e qytetarëve.
Qytetarët e Tiranës paguajnë çdo ditë për një incenerator që nuk e kanë parë kurrë, që nuk ka zgjidhur asnjë problem të mbetjeve dhe që sot është simboli i korrupsionit të institucionalizuar.Dhe pyetja është e thjeshtë: Si mund të ketë para për një incenerator fantazmë, por jo për transport publik dinjitoz?Si ka para për kontrata të errëta, por jo për kopshte, çerdhe dhe shërbime sociale?Si ka para për beton, por jo për qytetarët? Ky skandal nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të qeverisë. Inceneratori i Tiranës është produkt i qeverisë, i mbrojtur nga qeveria dhe i financuar me bekimin e qeverisë.Qeveria flet për luftë kundër korrupsionit, por mban gjallë një kontratë që simbolizon vjedhjen masive të fondeve publike. Qeveria flet për standarde evropiane, por lejon që qyteti kryesor i vendit të mbahet peng nga një aferë kriminale.
Ndërkohë, qytetarët paguajnë taksa gjithnjë e më të larta, shërbimet përkeqësohen, dhe Tirana bëhet gjithnjë e më e pabanueshme. Ky buxhet nuk adreson varfërinë urbane, nuk ofron strehim social, nuk ndihmon familjet e reja, nuk mbron të moshuarit. Ai thjesht mbron interesat e një pakice dhe hesht përballë abuzimit. Nuk mund të ketë normalitet aty ku ka inceneratorë fantazmë. Nuk mund të ketë zhvillim mbi korrupsion. Nuk mund të ketë buxhet social mbi vjedhje publike. Si Grupi i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë kërkojmë  ndërprerjen e menjëhershme të çdo pagese për inceneratorin fantazmë, transparencë të plotë për çdo euro të shpenzuar,
rishikim të thellë të buxhetit të Bashkisë së Tiranës, dhe përgjegjësi politike nga qeveria dhe drejtuesit vendorë. Tirana nuk është bankomat i pushtetit.
Paratë publike nuk janë pronë private.Qytetarët e Tiranës meritojnë shërbime, jo mashtrime. Meritojnë drejtësi, jo propagandë.
Faleminderit!"