Janë të paktën 4 institucione të Drejtësisë, nga KLGJ, KLP, Prokuroria e Përgjithshme e deri te SPAK-u të cilat janë prekur nga rishikimi i Buxhetit. Prej tyre vetëm KLP, përfiton një rritje të lehtë prej pak më shumë se 250 mijë euro, ndërsa tre të tjerat kanë dalë të humbura. Buxheti i tyre është ulur.
Më i dëmtuari duket SPAK me më pak se afro 4.8 milionë euro, i ndjekur me më shumë se 4 milionë euro të tjera që i hiqen KLGJ-së, institucioni që menaxhon gjithë sistemin gjyqësor. Mbi 1 milion euro më pak do të ketë dhe Prokuroria e Përgjithshme.
Nga Ministritë, ajo e Mbrojtjes e Shëndetësisë kanë njohur po ashtu tkurrje për shkak të mos-realizimit të projekteve të parashikuara.
Ministritë e tjera që nuk u prekën nga struktura e re qeveritare, kanë pësuar rritje.
Pjesa e luanit i takon ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Nga 691 milionë euro buxheti në fillim, me këtë rishikim i rritet në 751 milionë euro. Por vetëm gjysma e fondeve shkon për rrugë, pjesa tjetër prej 30 milionë euro, janë mbështetje për Albcontrol, që vijon të vujë problemin e bllokimit të llogarive jashtë vendit.
Me rishikimin e buxhetit marrin fonde për herë të parë edhe ministritë e reja, portofolet e të cilave ndryshuan në shtator kur i njoftua qeveria e re.
Kështu, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka buxhet 473 milionë euro. Kjo ministri kishte më herët në strukturë edhe kulturën e cila tashmë është bashkuar me turizmin dhe sportin me buxhet total 69 milionë euro.
Ministria e Mjedisit, e cila deri në shtator ka qenë një me turizmin tanimë ka buxhet të veçantë, që shkon në 29 milionë euro, dhe ajo e Arsimit që është e ndarë nga sporti që buxheti i saj është 610 milionë euro.
Komente










