Buxheti, janar 2014 rritje e
ndjeshme e të ardhurave nga TVSH

TIRANE- Realizimi i mbledhjes së të ardhurave totale për Buxhetin e Shtetit gjatë muajit janar të vitit 2014, krahasuar me atë të muajit janar të një viti më parë, ka pësuar një tkurrje prej 1.4%, e cila mund të konsiderohet si minimale, duke marrë parasysh reformat e kryera në sistemin fiskal nga Qeveria aktuale dhe koha e shkurtër, gjatë së cilës janë zbatuar ato.

Zërat “Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)”, “Taksa Nacionale dhe të tjera” dhe “Taksa doganore” shënuan performancë në rritje. Përsa u përket shpenzimeve, gjatë muajit janar të vitit 2014 ato janë ulur me 9% krahasuar me një vit më parë. Ndërkaq, suficiti buxhetor për muajin janar të vitit 2014 është 8 herë më i lartë sesa për muajin janar të një viti më parë. Të dhënat janë bërë të ditura nga Ministria e Financave.

Të ardhurat
Në vlerë nominale, të ardhurat për muajin janar të këtij viti ishin 402 milionë lekë më të ulëta sesa për të njëjtën periudhë të vitit 2013. Por, tek këto të dhëna vlen të theksohet fakti që 3 nga zërat e të ardhurave tatimore, që kanë performuar më mirë, kanë qenë: “Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)”, “Taksa Nacionale dhe të tjera” dhe “Taksa doganore”. Krahasuar me muajin janar të vitit 2013, gjatë muajit janar të këtij viti, të ardhurat për zërin “Tatim mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)” u rritën me 13.8%, ose në vlerë nominale me afro 1.1 miliardë lekë.

Të ardhurat për zërin “Taksa Nacionale dhe të tjera”, krahasuar me muajin janar të vitit 2013, gjatë muajit janar të këtij viti u rritën me 12%, ose në vlerë nominale me 265 milionë lekë. Ndërsa, të ardhurat për zërin “Taksa Doganore”, krahasuar me muajin janar të vitit 2013, gjatë muajit janar të këtij viti, ato u rritën me 12.5% ose në vlerë nominale me 43 milionë lekë.
Ky përmirësim në mbledhjen e TVSH-së dhe taksave doganore është në linjë me sugjerimet e institucioneve ndërkombëtare financiare, të cilat kanë vënë theksin në përmirësimin e të ardhurave nga këto zëra në mënyrë që të rimëkëmbet ekonomia.

Një tjetër zë që ka pasur një përmirësim të dukshëm, përsa u përket të ardhurave, ka qenë “Sigurimi Shëndetësor”. Krahasuar me muajin janar të një viti më parë, në muajin janar të vitit 2014, të ardhurat për zërin “Sigurimi Shëndetësor” u rritën me 241.9%, ose në vlerë nominale me 520 milionë lekë.  Disa nga zërat e të ardhurave tatimore që nuk patën performancë në rritje për muajin janar të këtij viti, krahasuar me muajin janar të vitit 2013, ishin “Akcizat” dhe “Tatimi mbi Fitimin”, Respektivisht ato u tkurrën me 35.4% dhe 25.3%.
 
Shpenzimet
Tkurrja e shpenzimeve përgjatë muajit janar të vitit 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në vlerë nominale afro ishte 2.5 miliardë lekë. Zëri i shpenzimeve me tkurrjen më të lartë ishte “Shpenzime Kapitale” (investimet). Në shifra, kjo ishte 80.4% ose afro 2.8 miliardë lekë. 
 
Suficiti
Gjatë muajit janar të vitit 2014 suficiti buxhetor u rrit me një vlerë nominale prej afro 4.1 miliardë lekë. E thënë ndryshe, përgjatë muajit janar të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, raporti midis të ardhurave dhe shpenzimeve ka qenë pozitiv dhe shifra për 2014-ën është 8 herë më e lartë (suficit) se në janar 2013.

Shkrimi u publikua sot (23.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ U ekstradua të mërkurën nga Turqia, Dritan Rexhepi në GJKKO për komunikimin e masës së sigurisë

Tiranë/ U ekstradua të mërkurën nga Turqia, Dritan Rexhepi në GJKKO për komunikimin e masës së sigurisë