Buxheti nen për nen
LSI 3 amendime të reja

Buxheti nen për nen<br />LSI 3 amendime të reja
TIRANE- Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi nen për nen vetëm me votat e mazhorancës projketbuxhetin e qeverisë për vitin 2014. Opozita ashtu si në votimin në parim votoi kundër, duke argumentuar se ky buxhet i qeverisë rëndon mbi xhepat e shqiptarëve si dhe fermerëve duke u rritur taksat. Deputeti i PD-së Shrefedin Shehu kërkoi që të specifikohet sesa do të paguajnë sigurime shëndetësore fshatarët. “Ja keni futur kot. Specifikoni sa do të paguajnë fshatarët sigurime”, ka thënë ai.

Ndërkohë që deputeti i PS-së Ervin Koçi tha “Ligji përcakton qartë se sa paguan fshati” dhe akuzoi opozitën se po spekulon. Gjatë diskutimit për taksat vendore, deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima, propozoi vendosjen e një takse të re për ndërtimet e reja, me qëllim stimulimin e ndërtimeve stoqe, që prej vitesh rrinë pa shitur. Ndërkohë që diskutimet përfshinë edhe projektligjet e paketës fiskale, ku konkretisht taksat ishin edhe çështjet që kanë ngjallur debate në Kuvend.

Gjithashtu Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi edhe vendosjen e akcizës për pijet energjike me rreth 50 lekë për litër. Mazhoranca ndër të tjera premtoi se vitin që vjen do të përgatisë një tjetër paketë me ligje për ti ardhur në ndihmë biznesit në vend. Paketa fiskale do të votohet nen për nen dhe në tërësi në seancën plenare të datës 28 dhjetor, 2013.

LSI 3 amendamente
Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë tre amendamente për buxhetin e vitit 2014. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, i cili shpjegoi konkretisht se LSI kërkon që 20% e të ardhurave të realizuara nga rritja e akcizës për duhanin të kalojë si fond shtesë në Ministrinë e Shëndetësisë. Së dyti, sipas Vasilit, LSI propozon që kontrollet mjekësore falas një herë në vit të zgjerohen deri në moshën 65-vjeçare.

Ndërsa propozimi i tretë lidhet me biznesin fason, për të cilin LSI kërkon që tatimi mbi të ardhurat të vazhdojë të jetë në masën 10%. “Në mënyrë konkrete, grupi i LSI ka propozuar që se paku 20% e të ardhurave të realizuara nga rritja e akcizës për duhanin të kalojë si fond shtesë në Ministrinë e Shëndetësisë, pasi siç dihet rritja e kësaj akcize ka patur si qëllim kryesor mbrojtjen e shëndetit publik. Së dyti, kemi propozuar një ndryshim tjetër që ka të bëjë me zgjerimin kontrollit mjekësor nga mosha 40-60 vjeç, është e rëndësishme që të zgjerohet deri në moshën 65 vjeç. Për disa arsye që janë arsye të karakterit shkencor dhe fiziologjik. Propozimi ynë synon dhe mbulimin më të mirë të meshkujve, që dalin në pension në moshën 65 vjeç”, deklaroi Vasili.

Shkrimi u publikua sot (27.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë