Nga foltorja e Kuvendit, deputeti Saimir Korreshi u ndal te buxheti 17.9 miliardë lekë për bujqësinë, për të cilin parafolësi i tij, ministri Andis Salla, tha se shënon rritje me 0.2%. me ironi, Korreshi tha se kjo rritje s’është as gjysma e një kokrre veze, ndërsa ndihma për fermerët s’mjafton as që ata të blejnë çizme.

Deputeti demokrat i Lushnjes thumboi edhe Petrit Malajn se ka vënë më shumë fonde për pagat në bashki sesa për kanalet. Ai solli foto nga spitali i Lushnjes ku u shpreh se s’ka skaner dhe është mbuluar me myk.

Ndërhyrje kërkoi edhe në sistemin elektrik që me ironi e quajti “uluktrik” për të cilin tha se nuk përballon as instalimin e një sere.

“E dëgjova këtë bujqësinë se po merrte një revansh me 320 km/h, do të shpërthente. Nga katuni s’marrim vesh me shifra. Një pulë bën 200 koqe ve në vit. 0.2% i koqeve të vezëve është as gjysmë koqe veje. E ndien bujqësia këtë rritje? Ishalla nuk pjell 200 koqe ve se aha ngelëm pa ngrënë ne! Këto lekët tuaja fermerit s’i dalin as për çizme, i heqim edhe qafat se s’i dalin as për qafa më. Iku ky ë? Oho, iku Peço! Paska çarë ferrën dhe Peço! Hajde o Petrit, hajde o vëlla! Me këto lekë që ke vënë për kanalet se për rroga ke dhënë 12-fishin më shumë bashkisë se për rrugë. Patronazhimi gati, do ju marrim në punë me kontrata provizore, ec përpara, këtë e morëm vesh ne! Kanalet i ka mbytur ferra! Jo kallami, por lartësia e kësaj karabinasë këtu është! Si tha kryeministri, hoqëm biçikletat! Urdhëro skaneri në Lushnje, me biçikletë burri i huaj se ku ta lërë? Ne shkojmë për t’u vizituar te pneumologu, pneumologu ishte sëmurë vetë nga myku që ka aty, tha jam me ilaçe për vete! Te pediatria me legen se nuk ka ujë lavamani! I fusin një të shpëlarë fëmijës atje para se t’i ndërrojnë bebelinat! Ka nevojë emergjente Lushnja për sistem uluktrik. Kush do të qeshë me sistemin uluktrik, mua m’u dogjën të gjitha pajisjet. Një kontratë për serën nuk e lidh dot që të çojë kabëll atje për ujë në pompë. Dua t’ju përshëndes se sot e keni vlerësuar ditën më me vlerë që duhet të kishte, te Asambleja rrinit të gjithë këtu, rrëk se mos ju kap ndonjë plumb, këtu s’vini. Samiti i NATO-s, i ra i-ja. Mirupafshim!”, tha Korreshi.


Lajmi kryesor:

LIVE TV-Buxheti 2027, Malaj: Ulim borxhin, rrisim investimet dhe mbështetjen sociale! PD: Pse nuk caktoni minimumin jetik? Rrisni taksat për bizneset