Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet e tij sociale pamje nga By Pass-i i Vlorës. Kreu i qeverisë thotë se kjo rrugë është një prej veprave më spektakolare të infrastrukturës sonë kombëtare.

Por krahas impaktit në lehtësimin e trafikut, ai thotë se aty po organizohen aktivitete turistiko-sportive të ndryshme. Me këtë rast ka shpërndarë pamjet e një gare çiklizmi që është zhvilluar në By Pass-in e Vlorës.

“Mirëmëngjes nga Bajpasi i Vlorës, një prej veprave më spektakolare të infrastrukturës sonë kombëtare, që krahas impaktit në lehtësimin e trafikut, nxori në pah pamjen piktoreske të vijës bregdetare të rivierës shqiptare, e ku së fundmi po organizohen edhe aktivitete turistiko-sportive, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Rama.

 Bypass-i i Vlorës, segment i rëndësishëm për lehtësimin e trafikut gjatë verës për shkak të turizmit bregdetar, u hap më datë 7 korrik dhe është gati për qarkullimin e automjeteve.

BY-PASS i Vlorës, një vepër rreth 29 km e gjatë, është financim i BERZH-it i Bankës Eurapiane të Investimeve dhe i Bashkimit Europian. Punimet në këtë vepër do të vazhdojnë me disa detaje të mbetura pa përfunduar, por të cilat nuk shkaktojnë probleme apo bllokim të trafikut. By-pass i Vlorës lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë.

Gjatësia e këtij aksi është 29 km dhe fillon që nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. By-pass redukton mbipopullimin e trafikut në qytetin e Vlorës, si dhe në rrjetin rrugor të bregdetit jugor të Shqipërisë.