Deklaratës së kryeministrit Edi Rama për një media italiane se "Një herë më kanë arrestuar në Bolonja, pasi u revoltova ndaj një polici, i cili pyeste një grua shtatzënë se çfarë kishte në bark" prej dy ditësh ka sjellë akuzat e Partisë Demokratike se pse ai ka gënjyer me formularin e  dekriminalizimit dhe për këtë nuk duhet të mbajë postin që ka.

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka kërkuar që Rama të sqarojë, nëse është arrestuar nga policia italiane apo ka gënjyer me plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Ky sqarim tha Bylykbashi është detyrim ligjor.

"Edi Rama ende nuk është përgjigjur: ka gënjyer median italiane apo ne formularin e dekriminalizimit. Kryeministri ose gënjen për propagandë ose thjesht ka të njëjtin problem me ligjin e Dekriminalizimit si ai grupi i deputeteve të partisë se tij që u larguan nga ligji. Edi Rama duhet të sqaroje shume thjesht nëse vërtet është arrestuar nga policia italiane apo ka gënjyer. Ky sqarim është detyrim ligjor pavarësisht pandemisë. Pjesën tjetër për të nxjerrë të vërtetën dhe vendimmarrjen e kanë detyrë dhe përgjegjësi ligjore institucionet e Dekriminalizimit, duke filluar nga Prokuroria që duhet të jetë e paanshme në zbatimin e ligjit.", shprehet Bylykbashi.