Bylykbashi: Letra e Ramës, 
tua kursejmë shqiptarëve këtë farsë

Bylykbashi: Letra e Ramës, <br />tua kursejmë shqiptarëve këtë farsë
Anëtari demokrat i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Oerd Bylykbashi, e quan letrën e kryeministrit Rama drejtuar shefit të opozitës, Basha, si një farsë të padobishme për reformën në drejtësi.

Ndonëse kryetari demokrat Basha u shpreh se do t'i përgjigjet shumë shpejt letrës, ndërsa theksoi se është i gatshëm për dialog, ndryshe mendon deputeti i tij, Bylykbashi.

"Se përse duhet të ulesh për t'i dhënë një fasadë civile negociate vendimit të Ramës për të mos rënë dakord për reformën në drejtësi, vetëm ai që në thelb ka vetëm fasadë e kupton. Dialogu, negociata dhe kompromisi i vërtetë mbi një proces që është interes kombëtar siç është reforma në drejtësi janë nevojë therëse për shqiptarët. Por shqiptarëve mund t'ua kursejmë këtë farsën e dialogut të nivelit të lartë për t'u mosdakordësuar ku na fton kryeministri", shkruan në Facebook, Bylykbashi.

Sipas tij, Rama lançoi një manual të ri negociimi si, "të negociojmë për të mos rënë dakord", çka do të thotë se kryeministri do t'i ikë konsensusit edhe në tryezën me Bashën.

"Rama sot, me letrën drejtuar Bashës, shkroi kapitull të ri në manualin e negociimit: "Si të negociojmë që të mos biem dakord". Si rregull, në fund të një raundi te pasuksesshëm negociate, thuhet: ramë dakord që të mos biem dakord. Kjo është shprehje e shpikur për të krijuar pozitivitet edhe kur nuk bihet dakord me shpresë për të vazhduar në raundin tjetër, ndërsa ne shqiptarët i themi: të mbajmë veten me gajret. Por letra e sotme e Ramës për liderin e opozitës ishte për të qeshur me lot, por edhe për të shkulur flokët", shkruan Bylykbashi.
 
Deputeti demokrat thekson gjithashtu se mbyllja e letrës nga Rama, dëshmon gjithashtu mungesë serioziteti. "Rama fton Bashën që "mosdakordësive" t'u jepet një "përmasë e munguar civilizimi" nëpërmjet një tryeze dialogu dhe kështu t'u mbushet mendja ndërkombëtarëve se jemi të civilizuar! Pra, që në ftesë Rama e ka të mbledhur mendjen për mosdakordësinë, por hallin e ka te fasada. Dhe ne fund, Rama e mbyll letrën me një pyetje lapidarë që të kujton fillestarët kur mësojnë tangon, me një hap para e një hap prapa: Ne jemi gati, po ju a jeni gati? E gjithë letra e Ramës përmblidhet tek pyetja qesharake e fundit të letrës: Rama është gati të mos bihet dakord, po Basha a është gati të mos bihet dakord? Për ta mbyllur siç ka qejf ai vetë: ‪#‎vajmedet për idenë e kompromisit qe ka!", përfundon anëtari demokrat i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Oerd Bylykbashi. 

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë