"Byroja kalon me reformën në 
drejtësi, doni s'doni do e votoni"

drejtësi, doni s'doni do e votoni"">
TIRANE - Reforma në drejtësi  do të votohet me konsensusin e opozitës ndërsa pjesë e saj do të jetë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Kjo është garancia  që ka dhënë kryeministri Edi Rama nga foltorja  e Kuvendit...

....
Kreu i qeverisë Edi Rama ka shprehur edhe një herë vendosëmrinë se reforma në drejtësi do të votohet duke marrë edhe miratimin e Partisë Demokratike, për të cilën u shpreh se kur të vijë koha, do t'i duhet të tërhiqet nga të gjitha akuzat e hedhura ndaj qeverisë si bllokuese të këtij procesi. Në fjalën mbajtur këtë të enjte në seancën plenare të Kuvendit, kryeministri tha se diskutimet për Byronë Kombëtare do t'i bashkangjiten komisionit të posaçëm të ngritur për reformën në drejtësi, për të ecur paralel me të. 

"Për Byronë ne e kemi mbaruar punën tonë, por ne nuk jetojmë në hënë dhe e dimë që ka një proces të reformës në drejtësi që nuk mund të anashkalohet. Nuk mund të bëjmë dicka që nesër reforma në drejtësi mund ta konsiderojë të nxituar. Dokumenti me të cilin ju keni rënë dakord është në dispozicion të komisionit të reformës. Doni ju s'doni ju do të shkojë para, dhe ju që jeni këtu do vini të votoni reformën në drejtësi dhe ja këtu do jemi, dhe do gëlltisni do bëni sikur si keni nxjerrë ndonjëherë gjithë ato budallallëqet që keni vënë në fletërrufe që i nxirrni në media e nëpër botë. Do i harroni këto e do vini këtu të votoni reformën në drejtësi këtu do jemi. Kur të jetë dita do them dhe unë fjalën time, por jam i bindur që do të jetë e panevojshme në funksion të miratimi, kush nuk miraton reformën do të përvëlohet plotësisht kur të shkojë përpara gjykatës së popullit në votime", tha Rama.

Deklarata e kryeministrit në parlament u bë pasi  opozita, përmes kryetarit të grupit parlamentar  kërkoi që të kalojë  me procedurë të përshpejtuar ligji për Byronë e  hetimit i cili nuk ka mbërritur në parlament. Ndërsa kryetari i kuvendit Ilir Meta i kërkoi opozitës  të sjellë një variant të saktë të propozimit të saj pasi në Konferencën e Kryetarëve nuk  e kishin një të tillë.

Duke e quajtur PD-në një parti "të dalë boje", Rama ju përgjigj me ironi edhe akuza të opozitës ndaj Policisë së Shtetit dhe betejës së saj me kriminalitetin. 

"Sa për Policinë e Shtetit dhe betejën me krimin kam vetëm një lutje, jo për ju. Por lutem që ju të vazhdoni të bëni çdo ditë një fletërrufe kundër policisë dhe ministrit. Është publiciteti më i mirë që ju i bëni faktit se jeni pa asnjë lloj boje, pa bojë fare, jeni një grup pa asnjë vizion, pa asnjë program, pa asnjë sens drejtimi, dhe vetëm recitoni banalitete që jua vënë në gojë, se ju që jeni këtu as dini çfarë bëhet, ju tregojnë përralla ata që keni në krye, nga lideri i sipërmarrjes së falimentuar. Propaganda juaj është një farsë, por mos harroni çdo ditë një sharje për Policinë e Shtetit, cdo ditë një sharje për ministrin e Brendshëm. Bëni një kontribut real për ti bërë publicitetin e duhur fytyrës suaj të dalë boje plotësisht si parti politike", u shpreh kreu i qeverisë. 

Puna e kësaj  qeverie do të  vlerësohet me votë në zgjedhjet e 2017,  e që për kryeministrin do të jetë  një tjetër shuplakë e  qytetarëve ndaj Partisë Demokratike.

"Ju ka rënë çdo cifël boje dhe keni dy vjet e gjysmë që nuk keni marrë asnjë masë për t’i rikthyer pigmentin, partisë që doli e shpartalluar nga zgjedhjet e 2013-s dhe që u rishpartallua në zgjedhjet e 2015-s. Kështu siç e keni nisur, një vit e gjysmë kohë kemi për të parë sesa e vërtetë është kjo që po ju them: Do të shpartalloheni siç nuk jeni shpartalluar as në 2013-n dhe as në 2015-n", tha Rama.

Ekspertë amerikanë nisën punën për hartimin e një projekti të ri për Byronë Kombëtare të Hetimit që kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin e qeverisë qershorin e vitit të . Projektligji i hartuar me ndihmën e ekspertëve amerikanë parashikon që fillimisht Byroja të jetë pjesë e strukturave policore, ndërsa pas miratimit të Reformës në Drejtësi të kalojë në varësi të Njësisë së Posaçme Antikorrupsion. Në11 mars mazhoranca dhe opozita janë në pozita pritje për opinionin përfundimtar të Komsionit të Venecias.
 
Fjala e kryeministrit ne Kuvend 
Kjo është një farsë e pashembullt, në vazhdën e farsës së përgjithshme që quhet Partia Demokratike. Byroja Kombëtare e Hetimit është në programin e Partisë Socialiste, përpara sesa Partia Socialiste të fitonte zgjedhjet. Byroja Kombëtare e Hetimit është në programin e qeverisë shqiptare, është një ndër objektivat në programin tonë të reformimit rrënjësor të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë në Shqipëri.

Ne jemi të vendosur të vazhdojmë në rrugën tonë dhe ju as ndalni dot, as na pengoni dot, as na vononi dot. Maksimumi që ju bëni është që vini këtu dhe vrisni kohë dhe na bëni edhe ne bashkëvrasës të kohës, të enjteve, në këtë sallë. Ky është maksimumi, për të tjerat ju flisni çfarë të doni, thoni si të doni, shpifni sa të doni, fyeni, sajoni çfarë të doni! Ne nuk kemi betejë për t’ju mbushur mendjen juve. Beteja jonë është për të reformuar thellësisht Shqipërinë, për të modernizuar dhe për të bërë më në fund, shtetin që nuk e kemi dhe përgjigjemi vetëm përpara qytetarëve.

Nuk e përcaktoni dot ju se kush është i korruptuar, se kush vjedh, se kush hajdutëron, sepse së pari, jeni pa bojë. Nuk keni asnjë lloj boje në raport me të vërtetën dhe në raport me publikun shqiptar. Ju ka rënë çdo cifël boje dhe keni dy vjet e gjysmë që nuk keni marrë asnjë masë për t’i rikthyer pigmentin, partisë që doli e shpartalluar nga zgjedhjet e 2013-s dhe që u rishpartallua në zgjedhjet e 2015-s. Kështu siç e keni nisur, një vit e gjysmë kohë kemi për të parë sesa e vërtetë është kjo që po ju them: Do të shpartalloheni siç nuk jeni shpartalluar as në 2013-n dhe as në 2015-n.

Sa për Policinë e Shtetit dhe marrëdhëniet e saj me qytetarët, sa për betejën e Policisë së Shtetit me krimin dhe me kriminelët, kam vetëm një lutje, jo për ju. Lutem që ju të vazhdoni të bëni çdo ditë, një fletërrufe kundër policisë dhe kundër ministrit të Brendshëm. Vazhdoni! Ky është publiciteti më i mirë që ju i bëni faktit se jeni pa asnjë lloj boje, pa bojë fare! Jeni një grup pa asnjë vizion, pa asnjë program, pa asnjë sens drejtimi, pa asnjë sens të së ardhmes dhe vetëm recitoni banalitete që jua vënë në gojë, se ju që jeni këtu, nuk dini fare as se çfarë bëhet, as kush e bën dhe as si e bën. Ju tregojnë përralla ata që keni në krye, nga lideri tek administratori i ndërmarrjes së falimentuar dhe ju vini këtu e recitoni përrallat e tyre.

Byroja Kombëtare e Hetimit është në programin tonë si parti, në programin tonë si koalicion qeverisës dhe është pjesë e një procesi që, - doni apo s’doni ju, - do të shkojë përpara dhe ju që jeni këtu do të vini dhe do të votoni jo Byronë Kombëtare të Hetimit, do të vini të votoni reformën në drejtësi dhe këtu do të jemi. Do të vini, do të gëlltisni dhe do të bëni sikur nuk i keni nxjerrë ndonjëherë, të gjithë ato budadallëqe që i keni vënë njëra pas tjetrës në ato fletërrufetë që nxirrni sa nëpër Shqipëri dhe nëpër media, aq edhe nëpër botë. Do t’i harroni të gjitha ato, do të vini këtu dhe do të votoni reformën në drejtësi.

Unë nuk kam folur asnjë ditë dhe nuk kam ndërmend të flas. Unë i qëndroj besnik parimit me të cilin kemi vendosur marrëdhënien tonë me publikun në raport me këtë reformë. Do t’i qëndroj besnik deri në fund dhe kur të jetë dita për të folur, do të them edhe unë fjalën time. Por jam i bindur që fjala ime do të jetë e panevojshme në funksion të miratimit, sepse kush nuk miraton reformën në drejtësi do të përvëlohet plotësisht, kur të shkojë përpara gjykatës së popullit në votime.

Për Byronë, ne e kemi mbaruar punën tonë, por ne nuk jetojmë në Hënë dhe ne e dimë që ka një proces të reformës në drejtësi që nuk mund të anashkalohet. Ne nuk mund të bëjmë dot diçka që brenda pak javësh, reforma mund ta konsiderojë të nxituar. Kështu që, dokumenti me të cilin ju keni rënë dakord është në dispozicion të Komisionit të Reformës dhe Komisioni i Reformës le ta diskutojë dhe le ta thotë fjalën e tij. Në momentin që Komisioni i Reformës thotë që ky dokument nuk ka lidhje, apo nuk e cenon, apo nuk është i tepërt, ndaj të votohet përpara votimit të paketës së parë të reformës, pra, të ndryshimeve kushtetuese, as mos u bëni merak, asfare, se do të votohet pa as më të voglin ngurrim.

Kjo është e vërteta e thjeshtë e kësaj historie. Propaganda juaj është një banalitet, një farsë, përditë e përditë dhe ju mund ta vazhdoni dhe vazhdojeni intensivisht. Vetëm një gjë mos harroni, se çdo ditë një sharje për Policinë e Shtetit, çdo ditë një sharje për ministrin e Brendshëm, në këtë pikë, sinqerisht bëni një kontribut real, për t’i bërë të gjithë publicitetin e duhur fytyrës suaj të dalë boje plotësisht si parti politike.


Byroja pjesë e Policisë, më pas në varësi të SPAK
Projektligji për Byronë Kombëtare të Hetimit, i hartuar me ndihmën e ekspertëve amerikanë, parashikon që fillimisht Byroja të jetë pjesë e strukturave policore, ndërsa pas miratimit të Reformës në Drejtësi të kalojë në varësi të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Që kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi qershorin e vitit të kaluar ligjin për Byronë kombëtare të hetimit, ekspertë amerikanë nisën punën për hartimin e një projekti të ri që të përshtatej me vërejtjet e kësaj gjykate.

Dhe sipas ndryshimeve të bëra nga ekspertëve amerikanë, Byroja Kombëtare e Hetimit nuk do të jetë në varësi të Kryeministrit, siç parashikohej në draftin fillestar.

Ndërkohë, pas miratimit të paketës kushtetuese për reformën në drejtësi, Byroja do të kalojë në varësi të Njësisë së Posaçme Antikorrupsion, njësi kjo e cila do të funksionojë pranë Prokurorisë. Sipas ndryshimeve, Byroja Kombëtare e Hetimit kryen hetime nën drejtimin e prokurorëve të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion të Prokurorisë.

Byroja Kombëtare e Hetimit është një institucion i kërkuar në mënyrë të përsëritur nga e gjithë asistenca e specializuar ndërkombëtare për Shqipërinë, për të bashkuar në një strukturë të vetme një sërë çështjesh që sot janë të pakoordinuara. 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois