Byroja, PD: Bëmë pakt 3 muaj 
para me LSI-në e PS-në/ Debatet

Byroja, PD: Bëmë pakt 3 muaj <br />para me LSI-në e PS-në/ Debatet
TIRANË - Partia Demokratike ka konfirmuar që në datën 4 shkurt se kishte rënë dakord me detaje për Byronë e Hetimit, me ndërmjetësimin e amerikanëve. “Shqiptarja.com” ka zbardhur procesverbalin e Konferencës së Kryetarëve të datës 4 shkurt, ku dy nënkryetarët e PD-së, Edi Paloka dhe Edmond Spaho i kërkonin llogari mazhorancës për vonimin e draftit. Gjatë debateve, evidentohet qëndrimi i shumicës për të miratuar në parlament Byronë e Hetimit së bashku me reformën në drejtësi.
 

DEBATI I PLOTË 

Edi Paloka – Ka një projektligj për Byronë Kombëtare të Hetimit, besoj e dini, sepse e keni bërë publik qëndrimin politik, për të cilin, sipas informacioneve tona, që janë shumë të sigurta, është rënë dakord midis forcave politike, Parti Demokratike, Parti Socialiste, dhe, me sa di unë, edhe LSI-ja është shprehur publikisht për këtë projektligj, nën vëzhgimin, po e quaj, të Shteteve të Bashkuara, pse nuk vjen ende ky projektligj, a dini gjë, zonja Ministre? Përderisa është rënë dakord deri në detaje, çfarë e pengon?

Ermonela Felaj – Funksionon Komisioni i Reformës në Drejtësi, nuk i ka mbaruar ende mandati.
Edi Paloka – Ai do ta shohë?

Ermonela Felaj – Po ai komision, sepse në qoftë se kjo çështje implikon reformën në drejtësi, natyrisht i duhet këtij komisioni, atij i kemi dhënë atribut, ta vendosë e të përcaktojë si do të jetë qëndrimi, por qeveria nuk ka shtyrë asgjë në lidhje me këtë projekt, sepse qeveria që para dy vjetësh e solli këtë projekt në Kuvend, ishit ju që e goditët atë projekt...

Ilir Meta –Unë kam përshtypjen se në momentin që ne ndodhemi, pasi drafti ka shkuar përsëri, si dhe propozimet në Komisionin e Venecias që kjo gjë të bëhet sa më e pjekur në kuadrin e reformës në drejtësi. Ka të bëjë me emetimin dhe nuk është diçka thjesht e shkëputur me gjithë reformën që po bëhet. Në këtë drejtim kam përshtypjen se është një çështje që duhet gjykuar në kuadër të gjithë reformës.

Edi Paloka – Domethënë, nuk do të kalojë më vete Byroja, por do të presim sa të vendosë komisioni për reformën në përgjithësi? Kjo është përgjigja?
Ilir Meta – Reforma në mars mbyllet.
Edi Paloka – Nuk e di kur do të mbyllet, por...
Ilir Meta – Do të mbyllet. Do ta mbyllim të gjithë bashkë, sepse kemi disa afate.
Edi Paloka – Për një gjë që është rënë dakord, unë nuk e di pse nuk duhet të vijë.

Ilir Meta – Kush tha që nuk do të vijë?
Ermonela Felaj – Kjo do vijë në një formë që nuk e themi dot sot.
Edi Paloka – Pra, do të vijë në një formë tjetër dhe jo në atë për të cilën është rënë dakord?
Ilir Meta – Nuk ta themi dot sot, sepse nuk e dimë se çfarë ndryshimesh kushtetuese do të ndodhin.
Ermonela Felaj – Nuk e kemi ne tagrin, por e ka Komisioni i Reformës.

Edmond Spaho – Për këtë çështje ne jemi palë. T’u referohemi historive të vjetra, nuk ka kuptim. Kemi rënë dakord për një variant të përbashkët konsensual, për rrjedhojë kemi të drejtë të kërkojmë që...
Ilir Meta – Kur kemi rënë dakord?
Petrit Vasili – Kur është gjetur kjo dakordësi?
Edmond Spaho – Për këtë projektligj se cili është variant i fundit e kemi pranuar ne.
Ermonela Felaj – Cilin variant?

Edmond Spaho – E kemi pranuar ne, e keni pranuar ju.
Petrit Vasili – Cili është varianti?
Edmond Spaho – Ne kemi rënë dakord të tria palët për një variant të tre muajve më përpara...
Petrit Vasili – Ku janë taktuar të tria palët, more zotëri?

Edmond Spaho – PS-j, PD-ja dhe LSI-ja, a jemi shprehur dakord? Kanë punuar ekspertët.
Ilir Meta – Ka ide të ndryshme. Ky thotë të jetë pjesë e prokurorisë, pra Spartak Braho. Dikush thotë të jetë pjesë e policisë. Kjo do të varet nga ndryshimet kushtetuese që do të bëhen.
Edmond Spaho- Ai variant që ka paraqitur ambasada amerikane, që e kanë ekspertët respektivë është pranuar nga të tria palët, atëherë pse nuk vjen?
Spartak Braho – Nuk kemi parë farë variante ne.
Petrit Vasili – Kur është depozituar?
Edi Paloka – Neve na është thënë që keni rënë dakord, por nuk paskeni rënë dakord.
Edmond Spaho – Thojeni që nuk kemi rënë dakord. Neve na është thënë që keni rënë dakord edhe ju.

Edi Paloka – Ju nuk ditkeni dhe nuk paskeni parë gjë. E morëm vesh.
Ilir Meta – Të mos bëjmë një debat fals komplet. E rëndësishme është që të gjithë jemi dakord. U bë atëherë, por nuk ramë të gjithë dakord. Vajti në gjykatë dhe e ktheu kjo e fundit. Tani jemi në momentin kur do të bëjmë ndryshime të Kushtetutës, këto ndryshime normalisht muajin tjetër duhet të kalojnë. Atëherë, kjo që do të bëhet, do të bëhet në përputhje me vendimet që ne do të marrim për sa u takon ndryshimeve kushtetuese në bashkëpunim ne siç jemi këtu, komisioni dhe ekspertët amerikanë, meqenëse ata e mbështesin këtë gjë fuqimisht dhe kanë nxjerrë edhe fonde për këtë punë. Ky është problemi?

Edi Paloka – Nuk paska një dakordësi, siç na është thënë neve. Kaq kuptova unë.

Ilir Meta – Dakordësi për të ngritur ...
Edi Paloka – Ka një projekt amerikan, që të jemi të qartë, me mbështetje të SHBA-ve, dhe u është ofruar ta shqyrtojnë dhe palët. Kështu na është thënë neve. Po them çfarë na është thënë.
Ilir Meta – A ke projektin në dorë, ta shikojmë? Ky është projekt tjetër, unë mund të kem parë projekt tjetër, Spartaku thotë gjë tjetër. A e ke projektin? Ta shikojmë!
Edi Paloka – Ne na paskan gënjyer amerikanët. Ka një muaj që e themi. Është thënë në parlament. Nuk dha njeri përgjigje. E ka thënë kryetari i Partisë Demokratike 3 herë në konferenca dhe takime. Nuk kthen njeri përgjigje. E ngrita këtu si shqetësim, pyeta dhe mora vesh që ne ia kemi futur kot, se nuk paska një gjë të tillë.
Ilir Meta – Për të bërë debate false, bëjmë sa të duam, por nuk zgjidhim gjë.

Edi Paloka – Unë tani po e marr vesh që qenkan false. Unë deri tani nuk kisha marrë përgjigje, prandaj bëra pyetjen. Ne kështu na ishte thënë. Jemi marrë vesh, të paktën, me Partinë Socialiste. Me LSI-në nuk na është thënë...
Ilir Meta – Po u more vesh me PS-në, ne symbyllazi votojmë, vetëm ju të merreni vesh. Për ne nuk ka problem.
Edi Paloka – Me Partinë Socialiste jemi marrë vesh për formulën si... Kështu që edhe ne prandaj e konsideruam sikur jemi marrë vesh të gjithë. Tani po marrim vesh që nuk qenkemi marrë vesh me asnjë palë.
Ilir Meta – Të gjithë jemi marrë vesh për ta bërë këtë gjë.
Edi Paloka – Ne na është thënë për formulën...

Ilir Meta – Për formën si do të bëhet, ti nuk ke projekt sot, që unë të them ky është projekti ...
Edi Paloka – Ne nuk e kemi projektin. E kanë ata të tjerët, me thënë të drejtën. Dakord, të mos e zgjasim këtë muhabet. Do t’i lajmërojmë që ju nuk e keni marrë projektin.
Fatmir Xhafaj – Nuk kisha ndër mend të ndërhyja, por më vjen keq që e bëni gjithë këtë bisedë. Është e vërtetë që është një projekt. E ka bërë ministri i Brendshëm me OPDAT-in, që ta dini. Pra, Ministria e Brendshme... Nuk e ka bërë as Partia Socialiste... Jo, jo, ai projekti që të është thënë ty, ose ai që ta ka thënë ty, që ia kanë thënë, nuk e ka kuptuar mirë. Më dëgjo mua! Pra, ministri i Brendshëm, Ministria e Brendshme ka punuar me OPDAT-in dhe kanë nxjerrë një projekt...

Edi Paloka – E përdor ministri nga kontrolli ...!
Fatmir Xhafaj – Jo, zotëri! Dëgjo! Mund të ketë rënë dakord me atë zgjedhje që i kanë thënë. Ai do të ndjekë një proces. Çfarë do të thotë? Ajo është e parashikuar në Kushtetutë. Do të shikojë parashikimin në Kushtetutë, nga parashikimi në Kushtetutë do të kalohet te ligji.
Edi Paloka – Ja për këtë është.
 
Edmond Spaho 
PS-j, PD-ja dhe LSI-ja, a jemi shprehur dakord? Kanë punuar ekspertët. Ai variant që ka paraqitur ambasada amerikane, që e kanë ekspertët respektivë është pranuar nga të tria palët, atëherë pse nuk vjen?
Ilir Meta 
Po u more vesh me PS-në, ne symbyllazi votojmë, vetëm ju të merreni vesh. Për ne nuk ka problem.
 
Fatmir Xhafaj 
Është e vërtetë që është një projekt. E ka bërë ministri i Brendshëm me OPDAT-in, që ta dini. Pra, Ministria e Brendshme... Nuk e ka bërë as Partia Socialiste...


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse krijohen kaq shumë parti të reja në Shqipëri?

Kreshnik Spahiu: Pse krijohen kaq shumë parti të reja në Shqipëri?