Çadrizmi, nji analizë antropologjike
zëvendësojeni çadrën me akuarium

Çadra si mjet lind për mbrojtje dhe si e tillë nuk ka të bajnë me lirinë por me kufizimin e saj në favor të sigurisë. Prandaj, metafora “çadra e lirisë”, shihet se asht pjellë e ndonji mendjes së ndritun që lirinë e sheh të kufizueme të paktën në drejtimin e saj vertikal, që asht ma i randsishmi. Qielli me yje apo nji diell që shkëlqen janë ma afër idesë së lirisë, sesa nji çadër që pengon shikimin, msheh dhe izolon.

Dy gjana, thonte filozofi Immanuel Kant, më kanë përçansue thellësisht: qielli me yje sipër meje dhe ligji moral mbrenda meje.

Mund të supozojmë se ajo çadër që i privon banorët e saj të përkohshëm prej qiellit me yje, të ketë mbrendë njerëz që janë tepër të ndieshëm ndaj ligjit moral! Mundet, edhe pse s’dallohet gja.

Çadra ka shoqnue ndër shekuj popujt nomad dhe pretar që dyndeshin prej stepave të Azisë deri në Europë tue vra, djegë dhe grabit e tue lanë mbas vetes veç rrënoja. Karakteri i saj i përkohshëm dhe lehtësisht i transportueshëm ban që çdo projekt i lidhun me çadrën të jetë jetëshkurtë dhe pa vizion. Në fakt nuk ka arkeologji çadrash, ma së shumti hulumtohen site të banueme që njerzit e çadrave kanë rrënue, por ata vetë s’kanë qenë të zotët me ndërtue gja.

Nga pikëpamja antropologjike shqiptarët nuk e kanë njohtë çadrën por kanë preferue ndërtesat në gur si kullat, dhe tue u ulë në hierarkinë ndërtimtare kanë pasë shtëpia o kasolle me qerpiç, kashtë ose me bokla karabushit, kurse çadrat janë njohtë si streha e pakicave rom apo sinti.

Kë mbron ajo çadra tiranase e lirisë? Edhe nji fëmijë e kupton se ajo mbron ata që rrezikohen drejtpërdrejt apo indirekt prej vettingut. Mbron ata që hodhën në erë 26 persona në Gërdec, ata që vodhën Rrugën e Kombit, që e kthyen shtetin në nji entitet feudal shtypës dhe denigrues për qytetarët shqiptarë, mbron atë hajdutin me bllok që deri tashti ka mbajt kambën në kapërcyell, atë ish-ministrin e brendshëm lepe-peqe të familjes dhe sidomos mbron kryekriminelin plak që pushkatoi 4 vetë në mes të Tiranës. Mbron edhe disa qindra gjykatës që janë aq të korruptuem saqë për ta do të duhej ndërtue nji burg i ri, pse ka rrezik t’u prishin moralin edhe kriminelave ma të regjun që ruejnë burgjet tona.

Edhe sikur çdo katund i Shqipnisë të mbushej me çadra e me asqerë, si Sali Berisha, si Meta e Llalla e si gjykatësit e tyne, nuk kanë ma asnji të ardhme politike. Çadra në kuptimin e saj ma të brishtë mbrojtës asht vetëm nji tentativë negocimi i paprekshërisë së tyne personale.

Shakllabanat e shakllabanet e Sali Berishës i janë sulë me vrull të papamë qenëror ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, me shpifje e trillime që vetëm mendje me tarë morale dhe psikike si ajo e kreut të tyne mund të përfytyrojnë. Iu sulën së fundi edhe gazetarës Arbana Xharra pse tha se Berisha ka ba kontrabandë me Millosheviqin, në nji kohë që asnji sish nuk ka as spesorin moral dhe as atë intelektual të Xharrës.

Çka mund të pritet prej shqiptarëve, si çadranëve si atyne që bajnë sehir prej ndërtesës përballë? Asgja. Kah ana tjetër po të ishin të aftë shqiptarët me ba reforma në drejtësi s’do të kishin nevojë absolute as për zotin Lu dhe as për zonjën Vlahutin e do ta kishin ba me kohë.

Kaq për çadranët.

A e meritojnë shqiptarët ende si kryeministër Edi Ramën? Në vetvete them pa asnji pikë dyshimit “jo”, por derisa Berisha, Llalla, Meta dhe zhgani korruptiv të rrezikojnë me na fundosë ma shumë se kaq e meritojnë plotsisht si nji të keqe ma të vogël.

Por them nuk e meritojnë mbasi Rama ka dështue në luftën kundër krimit të organizuem, kundër vorfnisë, kundër korrupsionit që e gjeti dhe e la siç ishte. Ai, ma së shumti, si vanitoz autoritar, ka estetizue në mënyrë tejet subjektive rrethin e ngushtë e sipërfaqsor të veprimeve të tija. Rama ka dështue pse s’ka dashtë me kuptue se nji seri ministrash si Tahirin i ka si gjyle në kambë.

Ka dështue pse kryegaranti publik i së keqes A. Llalla vijon të jetë aty ku ishte, se Sali Berisha dhe çeta e tij jo vetëm nuk përfunduen mbas vitit 2013 në hekura por po japin spektakël dhe mburren për vrasjet që kanë krye faqe botës.

Por tue qenë se Edi Rama ka fitue me vota, ka të drejtën me u largue vetëm me vota.

Nga ana tjetër a mund t’i besohet gja Lulzim Xhelal Bashës, ish kamerierit të Rinasit në kohën e komunizmit, e ma vonë mosmirënjohësit të bamirësit të tij hollandez? A i besohet gja në dorë Bashës, atij që me sa duket kontribuoj kur ishte në UNMIK, së bashku me do mrruta të ardhuna prej Europet, me fundos nderin e luftës në Kosovë!

A i besohet atij që i shpëtoi me procedurë procesit për 230 milionë euro të zhdukuna nga Rruga e Kombit, atij që fronëzonte randë e randë si Ministër i Brendshëm kur u vranë katër vetë gjatë nji proteste në Tiranë?

Të ishte puna me mbështetë J. Topallin, e cila asht konsumue deri në fund për të djathtën apo të ishte me nxjerrë përpara nji Ristan që i vetëm, si kalorës i fytyrës së vrerosur mori nji bashki dhe ia fali PD-së për me e ba kurban të Bashës, të ishte me nxjerrë përpara nji kafkë dialektike si demokratin e thekun Islami, edhe do të hahej puna, po të nxjerrish për me rrëzue nji qeveri nji aktor që lot vetëm me sufler dhe i merret zani sa hapë gojën, kjo nuk hahet me asgja.

Sali Berisha e ka dënue të djathtën me ndejt në opozitë, na ka dënue me pasë qeveri me Tahira e Ahmetaj, me Meta e me Vasila.

Jemi në dorë të Lu-së dhe Vlahutin-it, të vetmit garantë të nji ndryshimi që i shërben gjithë shqiptarëve, të vetmit që kanë ilaçin e duhun kundër sindromës endemike të sypeshkaqenizmit shqiptar.

Zëvendësojeni atë çadër me nji akuarium ma mirë, se vettingu rrezikon me i nxjerr peshkaqenët në zall, e peshkaqenët s’kanë parti, ata janë grabitçarë të pangimë si djathtas si majtas.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen