Bllokimi në trafik është tmerr për të gjithë ata që i duhet të qëndrojnë me orë të tëra në automjet, e veçanërisht në mes të vapës, por kjo nuk justifikon sjelljen e gabuar, të disa shoferëve. Me një mungesë të edukatës të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor, në mes të trafikut gjen shoferë që bëjnë parakalime të gabuara, krijojnë 3 korsi aty ku janë vetëm 2, duke u bërë burim aksidentesh, e duke bllokuar edhe më keq trafikun për ata që presin në radhë.
Këta shoferë evidentohen edhe në pasojat që mund të kenë sjellë veprimet e tyre në rrugë: Disa aksidente të njëpasnjëshme.
Gjatë të dielës kur shumë qytetarë që kishin pushuar në bregdetin shqiptar u bllokuan në trafik, veçanërisht ata që ktheheshin nga Shëngjini, policia rrugore ka ndaluar disa shoferë të papërgjegjshëm në qytete të ndryshme.
Në Lezhë një 59-vjecar humbi drejtimin e makinës dhe u përplas me një motor që drejtohej nga një 34-vjeçar me banim në Tiranë. Për pasojë u dëmtua pasagjerja në motor.
Po në Lezhë një 21-vjeçar humbi kontrollin e drejtimit të makinës dhe u përplas me 2 automjete, njëri drejtohej nga një 54-vjeçar nga Kosova dhe tjetri nga një grua 50-vjeçrare. 2 pasagjerë në makinën me targa të Kosovës morën dëmtime të lehta.
Edhe një 21-vjeçare banuese në fshatin Mjedë po hetohet në gjendje të lirë, pasi në aksin Shkodër-Lezhë, makina që ajo drejtonte u përplas me një automjet tjetër.
Në Elbasan një 28-vjeçar po hetohet në gjendje të lirë, pasi në aksin Elbasan-Librazhd u përplas me 2 automjete të tjera, njëri drejtohej nga një 80-vjeçar e tjetri nga një i ri. Për pasojë, mbetën të dëmtuar lehtë, i moshuari, shoferi 31-vjeçar dhe 4 pasagjerë në automjetin e tij. Nga përplasja u dëmtuan edhe ambientet e një lokali.
Në Korçë 2 shoferë, njëri me banim në Tiranë e tjetri në Pogradec u arrestuan pasi drejtonin makinën në gjendje të dehur. E njëjta gjë edhe në Shkodër, ku u arrestua një 40-vjeçar. Në Vlorë u arrestua një 40-vjeçar, ndërsa në Sarandë efektivët vunë në pranga një 33-vjeçar me banim në Napoli, për drejtim të makinës në gjendje të dehur.
Komente


Keto tipat qe parakalojne atehere kur te tjeret presin ne rradhe, duhen bere shembull jo nga policia rrugore por nga udhetaret qe presin!!! Alabak qe kujtojne se jane me teper zgjuar dhe te fort se tjeret
Përgjigju