Hakan Calhanoglu dhe Luka Modric, janë gati për ndeshjen derbi. Vetëm pak ditë nga sfida në 'San Siro', Cristian Chivu dhe Massimiliano Allegri po fillojnë të mendojnë për zgjedhjet e formacioneve, me të dy trajnerët që si pikë referimi kanë repartin e mesfushës.

Supersfida e 'San Siros', pritet të jetë shumë e ekuilibruar dhe siç ndodh shpesh, mesfushorët do të jenë ata që mund të bëjnë diferencën në fushën e lojës. Hakan Calhanoglu dhe Luka Modric i kanë cilësitë për të qenë vendimtarë në ndeshje të tilla dhe për këtë arsye do të jenë të vëzhguarit specialë në mbrëmjen e të dielës.

Pas problemit në kyçin e dorës që iu shfaq në kombëtare, Calhanoglu u kthye në Milano ditën e hënë dhe për këtë të martë ai dhe lojtarët e tjerë të grumbulluar me kombëtaret janë lënë pushim nga Chivu. Për trajnerin e Interit, do të jetë pikërisht ai gjilpëra e peshores në derbi; presioni i lartë është një nga karakteristikat e Interit në këtë fillim sezoni dhe aftësia e Calhanoglu për të udhëhequr shokët e skuadrës do të jetë me siguri një faktor.

Në këtë lojë, do t’I takojë pikërisht mesfushorit turk të markojë Modric në presing, një futbollist të cilin ai e admiron dhe e konsideron mjeshtër në rolin e tij.

Pikërisht nga dueli Calhanoglu - Modric do të krijohen pjesa më e madhe e shanseve ofensive për të dyja skuadrat. Për mesfushorin e Interit, kjo do të jetë përballja e 17 me Milanin, një derbi që mund edhe të mos e kishte luajtur për shkak të zërave të merkatos së kësaj vere që e shihnin atë larg Milanos dhe drejt një rikthimi në Turqi.

Me kthimin e tij te Milani, Allegri ka ditur të vendosë skuadrën rreth Modric dhe e ka bërë në mënyrë perfekte. Nëse në Madrid ishim mësuar ta shihnim atë të zhvendosur pak më para për shkak edhe të pranisë së një lojtari si Casemiro, në Milano kroati është i vendosur më prapa dhe më në qendër, por pa hequr dorë nga kalimet në zonën ofensive ku shpesh ka rezultuar vendimtar.

Aftësia e tij për të organizuar lojën është një vlerë e shtuar te Milani i këtij viti dhe që për momentin po funksionon në mënyrë të shkëlqyer. Pavarësisht moshës së tij, Modric po shfaq një lidhje të fortë me fanelën kuqezi dhe derbi do të jetë një tjetër rast që ai të  shfaqë të gjithë madhështinë e tij.

Derbi do të vendoset nga ndonjë gjuajtje nga distanca e Calhanoglu apo nga ndonjë shpikje e Modric? Këtë do ta zbulojmë vetëm ditën e dielë, ndërkaq ethet për këtë ndeshje derbi po rriten dita-ditës.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?