Kryeministri David Cameron, deklaroi se Britania nuk do të dorëzohet ndaj ekstremizmit dhe terrorizmit. Këto komente kryeministri i bëri pas vrasjes së një ushtari pranë një kazerme ushtarake në Londër.

Pas takimit urgjent me shefat e tij të inteligjencës ai foli jashtë rezidencës së kryeministrisë në Londër duke thënë se Britania do të mbetet e patundur përballë terrorizmit.

“Ajo çfarë ka ndodhur në Ëoolëich na ka sëmurë të gjithëve. Në televizionet tona kemi parë imazhe vërtet shokuese, por kjo na bashkon dhe na bën më të fortë”, tha kryeministri Cameron.

Emri i të ndjerit nuk është publikuar i cili u vra nga dy nigerianë me thika të cilët brohorisnin slogane islamike. Njëri prej tyre është filmuar me hanxhar të gjakosur në dorë, duke thënë se e kreu sulmin për hakmarrje, pasi ushtarët britanikë vrasin myslimanë çdo ditë.

Dy të dyshuarit ndodhen nën arrest në një spital pasi u qëlluan dhe u plagosën nga forcat e rendit menjëherë pas sulmit makabër. Komuniteti Mysliman i Britanisë është prononcuar se vrasja “është një akt i vërtetë barbar që nuk ka bazë në Islam”. Siguria në rrugët e Londrës është rritur së tepërmi kryesisht përreth të gjitha kazermave në kryeqytetin britanik.

(l.ç/v.gj/shqiptarja.com)