Cana: Duam ta shkruajmë historinë

Cana: Duam ta shkruajmë historinë
“Duam të shkruajmë historinë”,  e nis kështu kapiteni i kuqezinjve Lorik Cana përshkrimin e miqësores së sotme Itali-Shqipëri, një ndeshje që do të jetë e para për të dyja përfaqësueset.

“Nuk ka pasur një ndeshje mes Italisë dhe Shqipërisë kështu që kjo do të jetë një mundësi e madhe për ne që të vazhdojmë rritjen tonë nëpërmjet një kundërshtari të madh” tha Cana për “SkySport”.

"Kur morëm vesh se ndeshja do të luhej për të grumbulluar fonde për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë në Genoa, u kënaqëm akoma më shumë. Shpresojmë që kjo ndeshje të mund të ndiqet sa më shumë dhe të jetë një event shumë festiv me tifozët tanë të pranishëm atje.”

Kujtojmë se sipas raportimeve nga mediat italiane të paktën 10 000 tifozë shqiptarë do të jenë të pranishëm në stadium. Cana më pas flet edhe për përmirësimin që po ndihet në radhët e skuadrës.

“E nisëm këtë rrugëtim me De Biasin dy vite më parë, po ecim shumë mirë. Kemi arritur rezultate dhe duam që të shkruajmë historinë për popullin shqiptar.”

Cana më pas foli edhe për dhunën në Beograd: “Ato janë gjëra që nuk duhen të ndodhin kurrë në futboll dhe ne shpëtuam nga një rrezik më i rëndë vetëm falë disa prej lojtarëve serb. Pa ndihmën e tyre, mund të kishte ndodhur më e keqja dhe do ta kishim pasur më të vështirë të mbërrinim në dhomat e zhveshjes.”

Ndeshja Itali-Shqipëri luhet të martën në orën 20:45. Ndeshja e radhës do të jetë e 81 për kapitenin Cana, i cili me ndeshjen e kaluar, atë me Francën, theu rekordin e Altin Lalës si lojtari me më shumë ndeshje me përfaqësuesen.

Për t’u theksuar është se shumica e lojtarëve të Italisë do të jenë nga rezervat dhe formacioni kryesor do të përbëhet nga lojtarë të Genoas dhe Sampdorias, skuadra vendase që do të përfaqësojnë pikërisht qytetin që u prek nga përmbytjet e një muaji më parë. 


Redaksia Online
(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë