TIRANE-Tetë persona janë proceduar në gjendje të lirë dhe 12 janë në kërkim për protestën e dhunshme të opozitës mbrëmjen e djeshme para parlamentit. Policia jep vetëm inicialet e personave që po hetohen, ndërsa thekson se janë identifikuar nga pamjet filmike, raportet e shërbimeve dhe provave të tjera të mbledhura gjatë protestës.

Ata akuzohen për "prishje të rendit dhe qetësisë publike” dhe “kundërshtim të punonjësit të rendit publik” pasi çanë me forcë kordonin e policisë dhe goditën me sende të forta punonjësit në hyrje të Parlamentit.

Gjithashtu janë identifikuar dhe po punohet për kapjen e 12 personave të tjerë, të cilët kanë kundërshtuar punonjësit e policisë. Sipas policisë, gjatë protestës së djeshme janë lënduar 2 punonjës policie, si dhe kanë marrë mjekim nga gazi lotsjellës 8 persona.

U proceduan penalisht në gjendje të lirë;
- A.Sh., 26 vjeç, banues në Tiranë;
- E.Sh., 30 vjeç, banues në Tiranë;
- Gj.L., 44 vjeç, banues në Laç;
- P.L., 62 vjeç, banues në Mamurras;
- A.P., 25 vjeç, banues në Tiranë;
- F.D., 50 vjeç, banues në Tiranë;
- B.B., 20 vjeç, banues në Fushë Krujë;
- O.G., 22 vjeç, banues në Tiranë.