Presidenti i Milanit, Gerry Cardinale, e quan veten njeri të veprave, jo të fjalëve, por situata aktuale e Milanit, me rrezikun e humbjes së kualifikimit për në Champions League, e detyron të mbajë një qëndrim.
"Në këtë moment është e drejtë të dërgojmë një mesazh të qartë. Deri më tani, skuadra dhe trajneri kanë bërë një punë të mirë. Deri në ndeshjen kundër Lazios ishim në garë për titullin kampion, por në pesë ndeshjet e fundit e kemi shpërdoruar sezonin. E di që kjo ndodh në sport, por nuk më bën të ndihem më mirë. Jam i zhgënjyer, por duhet të fitojmë dy ndeshjet e fundit", tha fillimisht ai.
Pronari i 'RedBird' i tha fjalët me kujdes në intervistën për 'Gazzetta dello Sport', teksa Milani i tij rrezikon Championsin.
"Nëse nuk hyjmë në katërshen e parë, është një dështim. Unë nuk jam i lumtur, as Allegri dhe lojtarët. Kemi pësuar gjithashtu shumë lëndime. Por në kulturën time, nëse dikush pengohet, duhet ta ndihmosh të rikthehet, nuk e nënvlerëson. Kështu që le ta mbështesim ekipin pa e demoralizuar në këto dy ndeshjet e fundit. Tifozët janë po aq të zemëruar sa unë, por le të përpiqemi t'i mbështesim lojtarët", vijoi ai.
Cardinale nuk po mendon vetëm për buxhetin
Cardinale flet si tifoz: "Kur shoh se nuk jemi në nivelin e duhur, e ndiej reagimin e tifozëve nën lëkurë. Zgjohem çdo mëngjes duke dashur të fitoj dhe ndihem i trishtuar kur nuk ia dalim. Dhe dua të hedh poshtë një gjë, nuk është e vërtetë që më interesojnë vetëm paratë dhe jo fitorja. Në karrierë dhe në jetë, gjithmonë kam fituar. Është qesharake të mendosh se do të bëja diçka pa qëllimin për të fituar vazhdimisht. Nuk stërvitem, nuk shënoj gola dhe as nuk mbrohem, por mund të bëj pjesën time, të siguroj burimet financiare për të nxjerrë në pah një ekip fitues", tha pronari i Milanit.
Cardinale: "Milani shpenzon më shumë se kushdo tjetër."
Lidhur me këtë, sipërmarrësi 59-vjeçar shton: "Që kur kam qenë te Milani, kemi arritur rezultate financiare që tejkalojnë pritshmëritë. Kjo është e rëndësishme sepse unë i riinvestoj ato, jo t'i vendos në xhep. Në tre sezonet e fundit kemi shpenzuar më shumë se çdo ekip tjetër në Serie A. Epo, ndoshta nuk i kemi shpenzuar në mënyrën më të mirë. Kërkoj një vlerësim më të lartë për sa kam shpenzuar dhe si i kam shpenzuar ato", tha ai.
Cardinale pranoi edhe disa gabime gjatë kësaj kohe.
Këtu Cardinale bën një 'mea culpa': "Kam bërë shumë gabime, sigurisht. Milani është ndoshta gjëja më e vështirë që kam bërë, por nuk do të ndalem. Unë jam një luftëtar. Ishte e vështirë të kuptoja sa i ndryshëm është konteksti. Nga jashtë, nëse je amerikan, nuk e kupton rolin që Milani dhe futbolli kanë për komunitetin. Nuk dua të transferoj drejtpërdrejt mënyrën se si i bëjmë gjërat në Amerikë ."
Çfarë tha Cardinale për Inter 0-5 PSG dhe futbollin në Itali.
"Do të doja të përqendroheshim më shumë në çështje thelbësore si infrastruktura sportive, si ta modernizojmë lëvizjen, sepse ekipi kombëtar humbi Kupën e Botës për herë të tretë radhazi. Nuk është vetëm çështje e Serie A, por edhe e humbjes së finaleve të Ligës së Kampionëve me rezultatin 5-0", tha ai mes të tjerash.
Cardinale foli edhe për drejtuesit e ekipit, duke thënë se të gjithë janë nën vëzhgim, nga trajneri, stafi dhe deri te drejtori sportiv.
"Qëllimi është të përmirësojmë klubin dhe ta çojmë atë në një nivel të klasit botëror. Qëllimi këtu është të fitojmë sa më shumë të jetë e mundur çdo vit, por edhe të sigurohemi që, ndërsa e bëjmë këtë, të hedhim themelet për sukses të vazhdueshëm.
Mund të shpenzojmë një pasuri, duke afruar lojtarë të afirmuar dhe duke synuar sukses të menjëhershëm. Por çfarë ndodh më pas? Duhet t'i bëjmë të dyja. Këtë verë, do ta shqyrtojmë klubin dhe do të shohim se çfarë mund të bëjmë për të mbushur boshllëqet, sepse nuk kemi qenë në nivelin e duhur.
Nuk ka të bëjë vetëm me zëvendësimin e njerëzve, por me shqyrtimin e strukturës organizative dhe sigurimin që kemi gjithçka në vend, nga stafi i trajnerëve te ekipi i përzgjedhjes së lojtarëve, te drejtori sportiv, te akademitë; është një ekosistem holistik që duhet të përmirësohet.
Kur mora drejtimin e ekipit, nuk ishte aty. Sporti, si shumë industri, ka të bëjë me njerëzit. Duhet të kesh njerëzit më të mirë, duhet të tërheqësh njerëzit më të mirë në të gjitha fushat. Nuk jemi ende atje ku duhet", tha Cardinale.
Pronari i Milanit ka folur për situatën e kuqezinjve dhe nuk i ka kursyer kritikat ndaj futbollit italian. Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, pronari i Milanit, Gerry Cardinale, ka folur për momentin e vështirë të kuqezinjve.
Numri 1 i RedBird ka pasur disa kritika për futbollin italian: “Do të doja që të ketë më shumë përqendrim mbi temat kryesore, rëndësinë e infrastrukturës sportive, si ta modernizojmë futbollin italian, sepse Italia mungon në një tjetër Botëror, i treti radhazi. Dhe vazhdohet me polemika”.
Dhe pikërisht në lidhje me polemikat, Cardinale ka përfituar për të thumbuar Interin.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për Serie A. Bëhet fjalë që të mos shkosh në finale e Championsit dhe të humbësh 5-0. Bëhet fjalë që të luash në mënyrë kompetitive në Europë. Bëhet fjalë për diferencën nga 4 në 1 në të drejtën televizive mes Premier League dhe gjithë të tjerëve. Diferenca e futbollit italian është rritur. Vetëm se për mënyrën si funksionon bota sot, nuk mund ta zgjidhni pa pasur para", tha ai.
Komente










