KF Erzeni me bazë në Shijak ka fituar gjyqin kundër FIFA-s, teksa Dhoma e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë të Zvicrës i ka dhënë të drejtë shijakasve, duke i kursyer 120 mijë euro për çështjen e lojtarit Shefki Aliti.
Erzeni pretendonte se lojtari është transferuar te shijakasit si futbollist i lirë, ndërsa nga ana tjetër klubi i '2 Korrikut' në Kosovë pretendonte se ishte nën kontratë me ta.
Sipas vendimit të FIFA-s më 25 maj 2023, Erzeni duhej t’i paguante klubit kosovar 2 Korriku shumën e 120.000 eurove si kompensimin për stërvitjen e lojtarit Shefki Aliti, pavarësisht një marrëveshjeje mes dy klubeve. Lojtari në fjalë është aktivizuar pjesën e dytë të sezonit të kaluar me shijakasit.
CAS ka njohur vlefshmërinë e marrëveshjes së arritur midis klubeve në lidhje me heqjen dorë nga pagesa e kompensimit të trajnimit. Në këtë mënyrë, Erzeni shpëton nga pagesa e 120 mijë eurove, një shumë e konsiderueshme kjo.