Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Cavusoglu theksoi sot se nuk ishte e drejtë të mendohej që Turqia të kryente e vetme një ndërhyrje ushtarake tokësore kundër xhihadistëve të grupit të Shtetit Islamik, që kanë rrethuar qytetin sirian të Kobanes.

"Nuk është e drejtë të presësh nga Turqia që ajo të ndërmarrë e vetme një operacion tokësor kundër Shtetit Islamik", deklaroi Cavusoglu për shtypin në përfundim të një takimi në Ankara me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Që prej të hënës në mbrëmje, Turqia është përfshirë nga manifestime të dhunshme të kurdëve, të cilët akuzojnë qeverinë islamo-konservatore të Ankarasë për mosndërhyrje ushtarake për të penguar qytetin e Kobanes, kufi me Turqinë, të bjerë në duart e Shtetit Islamik.

"Këto përleshje kanë shkaktuar 22 të vdekur, dhjetëra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale", sipas bilancit të fundit të publikuar nga media turke.
Cavusoglu theksoi përveç të tjerave se sulmet ajrore ndërmarrë nga koalicioni ndërkombëtar nën drejtimin e SHBA-së kundër xhihadistëve ishin të suksesshme.
"Por të githa operacionet e tjera ushtarake, përfshirë këtu një operacion tokësor, do të parashikohen", shtoi ai.

Parlamenti turk i hapi dritën e gjelbër një operacioni ushtarak turk kundër xhihadistëve në Irak dhe në Siri. "Paqja nukdo të vendoset kurrë në Siri pa largimin e Bachar al-Assadit dhe regjimit të tij", theksoi Cavusoglu.

ATSH