Çelja e negociatave me BE-në
Bushati: Plan veprimi me Austrinë

Çelja e negociatave me BE-në<br />Bushati: Plan veprimi me Austrinë
Shqipëria po bashkëpunon ngushtësisht me Austrinë sa i takon hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

Kështu ka deklaruar Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati gjatë një vizitë që ai po zhvillon në Austri ku është takuar me homologun austriak, Sebastian Kurz në Vjenë.Kjo vizitë, sipas Bushatit vjen në një moment të veçantë për dy vendet që para pak ditësh kremtuan 60 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe dhe dëshmon marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Austrisë.

Në takimin dypalësh u diskutuam mbi procesin e integrimit evropian, forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral, dhe koordinimin e përpjekjeve të përbashkëta në menaxhimin e sfidave aktuale me të cilat po përballet kontinenti.

Kurz e njohu Ministrin Bushati me vëmendjen e veçantë që i kushton ky vend Ballkanit Perëndimor, duke rikonfirmuar qasjen e afërt të rajonit drejt Bashkimit Evropian dhe angazhimin e Austrisë në këtë drejtim. 
 
Bushati vlerësoi kontributin e qeverisë austriake në mbështetje të procesit të reformave në vend.
 
Mbështetja e vazhdueshme e Austrisë është pasqyruar qartë edhe në Strategjinë për Zhvillim 2015-2020, ku asistenca për forcimin e administratës publike, shtetin e së drejtës e arsimin profesional janë vetëm disa nga drejtimet kryesore të bashkëpunimit dypalësh.

Bushati vlerësoi qëndrimin e Austrisë si një ndër vendet anëtare në mbështetje te zgjerimit dhe u shpreh se: “jemi duke zbatuar planin e përbashkët të veprimit mes dy vendeve për këtë vit, i cili përmban një sërë angazhimesh dhe aktivitetesh konkrete në mbështetje të avancimit të vendit në rrugën e integrimit, me objektiv marrjen e vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ky plan shtrihet në fusha si integrimi evropian, ekonomia, programe të zhvillimit, administrata publike, edukimi, shkenca dhe shoqëria civile”.
 
Bushati dhe Kurz morën pjesë në konferencën mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u organizua nga Ministria Federale e Austrisë për  Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Ministrinë franceze të Punëve të Jashtme. 
 
Konferenca u zhvillua në kuadër të Procesit të Berlinit dhe përgatitjes së Samitit të radhës që zhvillohet në Paris, në korrik 2016.
Bushati evidentoi transformimin rrënjësor që ka pësuar Ballkani Perëndimor në sajë të perspektives evropiane dhe nevojën e vijimit të këtij procesi në funksion të stabilitetit të rajonit. Duke u ndalur në natyrën e mosmarrëveshjeve dypalëshe në rajon, Bushati I ndau ato në tre kategori të ndryshme.

Mosmarrëveshje dypalëshe të trashëguara nga një e kaluar e largët, çështjet e shtet-ndërtimit që u shfaqën pas shpërbërjes së Jugosllavisë si dhe  mosmarrëveshjet dypalëshe që mbartin një rëndësi praktike për të ardhmen, por që jo domosdoshmërish shkaktojnë pengesa për zgjerimin e BE-së”, tha ai.

Mekanizmat aktualë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, tha ai, duhet të integrojnë në qasjen e tyre dimensionin e zhvillimit ekonomik. Ekziston nevoja për të kanalizuar më tej ndihmën e BE-së ndaj politikave të rritjes, ndërlidhjes dhe zvogëlimit të pabarazive ndërmjet vendeve të BP dhe BE-së”.
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

SPAK lëshon 9 urdhër-arreste për ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, mes tyre ish drejtori i UKT dhe IMT (AKUZAT + EMRAT)

SPAK lëshon 9 urdhër-arreste për ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, mes tyre ish drejtori i UKT dhe IMT (AKUZAT + EMRAT)