Nikos Kotzias, ministri i Jashtëm grek ka hedhur poshtë faktin se Tirana dhe Athina kanë përfshirë ''çështjen çame'' në një prej çështjeve për t'u zgjidhur midis dy vendeve.

Referenca e vetme në dokumentin e quajtur ''non paper'', që i kemi dorëzuar shqiptarëve është fakti që ''çështja çame'' nuk përbën objekt negociimi për shtetin grek'', ka deklaruar Kotzias në një intervistë në kanalin radiofonik ''ALHA 989''.

Kotzias ka pranuar se, para 5 muajsh kishte hartuar një dokument “non paper”, që ia kishte dorëzuar Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në të cilën propozonte për të diskutuar problemet që mbeten ende të pazgjidhura midis dy vendeve në 50 vitet e fundit.

 “Por ka qenë pala shqiptare, që më bëri një kundërpropozim, i cili përfshinte edhe çështjen çame. Ne u thamë se kjo çështje nuk është objekt bisede, është jashtë negociatave dhe nuk e negociojmë atë”, ka deklaruar Kotzias, duke shtuar se për këtë janë informuar dhe europianët.

''Ne nuk i vumë europianët të ndërmjetësojnë, sepse ne jemi duke negociour me shqiptarët dhe shqiptarët me ne'', është shprehur Kotzias.

Kotzias është shprehur gjithashtu edhe për deklaratën e komsionerit Hahn, ku e ka quajtur si një deklaratë të pakujdesshme.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com